Ndërlidhjet

GOLDBERG: DEPOLITIZIMI I UP-SË SHUMË I RËNDËSISHËM


Bekim Bislimi, Prishtinë

Është shumë me rëndësi që të bëhet depolitizimi i atmosferës në Universitetin e Prishtinës, ka thënë sot shefi i zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Philip Goldberg, pas vizitës në rektoratin e këtij universiteti dhe takimit me rektorin e ri, Enver Hasani.
"Është shumë i rëndësishëm depolitizimi i atmosferës në universitet dhe fokusimi në misionin e tij që është arsimimi dhe edukimi i të rinjve të Kosovës," tha zoti Goldberg, duke shtuar se universiteti duhet të jetë vendi për gjenerimin e njerëzve të arsimuar, mjekë, avokatë, profesorë, inxhinierë, arkitektë, të cilët janë faktorë që do të ndihmojnë për të gjeneruar ekonomi të mirë të Kosovës dhe të japin shpresë për të ardhmen. Ndërkaq rektori i Universitetit të Prishtinës Dr. Enver Hasani, ka theksuar se gjatë këtij takimi e ka njoftuar zotin Goldberg për rrjedhat e fundit në Universitetin e Prishtinës dhe përfundimin e zgjedhjes së udhëheqjes së re të këtij universiteti.
"E njoftova për rrjedhat e fundit në universitet, për aktivitetet që kemi patur sot në mbledhjen e bordit, konfirmimin dhe legalizimin e tre pro rektorëve të rinj, e njoftova po ashtu për vështirësitë të cilat na presin, sfidat, qëllimet që unë kam për ta nxjerrë nga gjendja, në të cilën është aktualisht universiteti, për politikën shumë të drejtë dhe transparente të regjistrimit e cila do të fillojë javën në vijim dhe gjëra të ngjashme".
Ndërkaq zoti Goldberg e ka uruar rektorin Hasani, duke i premtuar atij se zyra amerikane në Prishtinë do të mbështesë zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit të Prishtinës.
"Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë përmes projekteve që tashmë jemi të angazhuar në bibliotekë, shkëmbimin e bursave si dhe në ndihmë të përgjithshme," tha zoti Goldberg.
Sidoqoftë, vizita në Universitetin e Prishtinës e shefit të zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, zotit Philip Goldberg, është bërë në shenjë të përkrahjes për këtë universitet dhe të ndryshimeve që janë bërë kohë më parë, pas mosmarrëveshjeve të cilat janë shfaqur ndërmjet udhëheqjes së mëparshme të këtij universiteti me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për shkak të ndikimeve të politikës në punën e këtij universiteti.



XS
SM
MD
LG