Ndërlidhjet

VAZHDON GJYKIMI I MILLAN MILLUTINOVIQIT DHE PESË ISH ZYRTARËVE SERBË


Augustin Palokaj, Hagë

Në sallën e gjyqit nr. 1 të Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, filloi dita e dytë e procesit gjyqësor kundër 6 ish udhëheqësve politikë, ushtarakë dhe policorë serbë për krimet e luftës të kryera në Kosovë në vitin 1999. Seanca vazhdoi me dëshminë e zonjës Sandra Mitchel, e cila ishte dëshmitarja e parë në këtë proces. Ajo kishte dëshmuar edhe në procesin kundër Sllobodan Millosheviqit. Mitchel ishte veprimtare e misionit verifikues të OSBE-së në vitin 1999 në Kosovë dhe si përfaqësuese për të drejtat e njeriut e kësaj organizate, ajo kishte marrë dëshmitë e shqiptarëve që lëshonin shtëpitë e tyre. Më vonë ajo këto dëshmi i kishte mbledhur edhe në Maqedoni dhe në Shqipëri, ku takonte shqiptarët që lëshonin Kosovën të dëbuar me forcë nga forcat serbe. Sandra Mitchel gjatë dëshmisë së saj deri tani ka deklaruar se deklaratat të cilat i jepnin refugjatët shqiptarë nga Kosova, janë dëshmuar si të sakta dhe përndjekja dhe deportimi masiv i shqiptarëve nga kosova, ishte kryer me qëllim dhe në mënyrë të organizuar nga aparati shtetëror i Serbisë, i udhëhequr nga Sllobodan Millosheviq, ndërsa pjesëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminele ishin dhe gjashtë të akuzuarit, që sot janë në karrigen e të akuzuarve. I akuzuari kryesor në këtë proces është Millan Millutinoviq, ish- kryetar i Serbisë, pastaj janë dhe ish zëvendës kryeministri Nikolla Shainoviq, shefi i atëhershëm i korpusit të Prishtinës gjenerali Llazareviq, ish shefi i policisë serbe në Kosovë Sreten Llukiq, ish komandanti i zonës së tretë të ushtrisë së atëhershme jugosllave Nebojsha Pavkoviq dhe ish shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave Dragoljub Ojdaniq. Pas dëshmitares Mitchel do të dëshmojnë edhe dëshmitarë të tjerë, në mesin e të cilëve do të jetë edhe veprimtari i Human Rights Watch-it Fred Abrahams, i cili një pjesë të madhe të punës së tij e kishte kryer në Kosovë, duke hetuar krimet e luftës dhe Tribunalit të Hagës kjo organizatë i kishte dorëzuar po ashtu të dhënat që i kishin mbledhur në terren.
Rasti kundër Millutinoviqit dhe të tjerëve është duke zgjuar një interes pak më të madh se raste të tjera në Tribunalin e Hagës dhe pritet që seancat të vazhdojnë deri në fund të kësaj jave, për t'u ndërprerë për shkak të pushimeve verore. Seanca e sotme do të vazhdojë deri në orën 8 të mbrëmjes.



XS
SM
MD
LG