Ndërlidhjet

ÇEKU: KOSOVA DO JETË SHTET ME TË CILIN DO KRENOHEN GJITHË QYTETARËT


Kosova do të jetë shtet normal demokratik dhe multietnik dhe pavarësia e saj nuk duhet parë si shenjë për panik, por përkundrazi si shenjë për mbetje këtu, për kthim dhe për integrime, tha sot në Dragash, kryeministri i Kosovës Agim Çeku duke iu drejtuar zyrtarëve dhe qytetarëve boshnjakë të komunës së Dragashit. Kryeministri Çeku u është drejtuar boshnjakëve në gjuhën e tyre duke u thënë se Kosova do të jetë e pavarur, por njëkohësisht do të sigurojë një ardhmëri më të mirë për të gjithë:
"Kosova do të jetë shtet, por çfarë është shteti që ne e duam? Ne e duam një shtet së pari normal dhe me sovranitet të plotë", tha kryeministri Çeku, sipas të cilit shtet normal do të thotë shtet normal dhe shumetnik:
"Duam që Kosova të jetë një shtet me të cilin do të jenë krenarë të gjithë qytetarët që do të jetojnë në të", tha Çeku, duke e lavdëruar komunën e Dragashit për përparimin që ka bërë në përmbushjen e standardeve, të cilat sipas Çekut janë prioriteti më i rëndësishëm edhe për qeverinë e Kosovës. Ai tha se Kosova do të jetë një vend demokratik dhe i qëndrueshëm jo vetëm në planin e brendshëm, por do të reflektojë stabilitet dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit edhe në gjithë rajonin:
"Shtet që do të ketë marrëdhënie të mira fqinjësie me të gjitha shtetet që na rrethojnë dhe që do t’i kontribuojë bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë në rajon edhe më gjerë", tha Çeku, sipas të cilit Kosova është një vend që synim të qartë e ka integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Jam i sigurt se në Kosova ka potencial që të formohet dhe të udhëhiqet si një shtet i tillë, tha Çeku, për të shtuar se institucionet e Kosovës po e dëshmojnë këtë për çdo ditë.
Kryeministri i Kosovës Agim Çeku u tha qytetarëve boshnjakë të Dragashit se pavarësia e Kosovës, shtetësia e saj nuk është shenjë për panik, shenjë alarmi apo katastrofë elementare siç dikush dëshiron ta paraqesë, siç u shpreh Çeku:
"Pavarësia e Kosovës është shenjë për mbetje këtu, për kthim, shenjë për integrim dhe për një ardhmëri më të mirë për të gjithë", tha Çeku, sipas të cilit askush nuk duhet të dyshojë se çka do të sjellë pavarësia e Kosovës për cilindo qytetar të Kosovës e sidomos për pjesëtarët e bashkësive etnike pakicë.
Kryeministri i Kosovës Agim Çeku sot ka vizituar edhe disa vendbanime të tjera në komunat e Dragashit dhe të Prizrenit të banuara nga pjesëtarë të komunitetit boshnjak, me ç’rast ka theksuar se përmirësimi i pozitës së pakicave është ndër prioritetet e qeverisë që ai drejton.

Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG