Ndërlidhjet

KONSTITUOHET PARLAMENTI I MAQEDONISË


Isuf Kadriu, Shkup

Sot është konstituuar Kuvendi i Maqedonisë, për të cilin kanë votuar 115 deputetë nga 120 sa numëron organi ligjvënës.

Partitë politike shqiptare në këtë përbërje parlamentare do të kenë 28 deputetë, ose 3 më shumë se në kuvendin e kaluar. 17 deputetë ka Bashkimi Demokratik për Integrim dhe 11 Partia Demokratike Shqiptare. Nga partitë politike maqedonase, VMRO DPMNE ka 45 deputetë, ndërsa Lidhja Socialdemokrate 33.

Kryetari i Kuvendit do të zgjidhet në seancën e ardhshme, kanë paralajmëruar përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, të cilët i kanë quajtur të pabaza vlerësimet e Lidhjes Socialdemokrate se mund të ketë vakuum institucional si pasojë e moszgjedhjes së kryeparlamentarit në seancën e sotme.

Zbatimi i marrëveshjes kornizë, integrimi i vendit në strukturat evroatlantike, zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë disa nga prioritetet e deputetëve që sapo morën mandatin e ri.

"Pritet që ky parlament të prodhojë të gjitha kornizat ligjore, që të bëhet sa më shpejt integrimi i Republikës së Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe gjithashtu ky parlament duhet të prodhojë gjithë atë pjesë ligjore, e cila ka të bëjë me zhvillim sa më të shpejtë ekonomik, hapje të reja të vendeve të punës, siguri personale dhe kolektive të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë," tha deputeti i PDSH-së Imer Selmani.

Ndërsa deputetja e BDI-së Teuta Arifi, u shpreh:
"Pres që të arrijë të vazhdojë proceset që i filloi parlamenti i kaluar, të vazhdojë me reformat, të intensifikojë më tepër reformat në gjyqësi dhe në strukturat e tjera dhe normalisht të votojë aprovimin për hyrjen e Maqedonisë në NATO", tha Teuta Arifi.

Nga ana tjetër, VMRO DPMNE, partia me më shumë deputetë, pret që së shpejti të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re.
"Gjatë ditës së nesërme presim që kandidati Nikola Gurevski, të marrë mandatin nga presidenti Branko Crvenkovski që sa më parë të formojmë qeverinë e re," tha deputeti i VMRO DPMNE-së Antonio Milloshovski.

Për dallim nga ditët e kaluara, kur dallonte se gjasat për përfshirjen e BDI-së në qeverinë e re janë shumë të vogla, sot Milloshovski ka paralajmëruar bisedime të reja me këtë parti shqiptare, me më shumë deputetë.

"Ne jemi të hapur për dialog dhe mendoj se gjatë ditëve të ardhshme do të krijohen kushtet për rifillimin e bisedimeve konstruktive", tha Antonio Milloshovski.

Ndërkohë edhe nënkryetarja e BDI-së Teuta Arifi është shprehur për mundësinë e vazhdimit të bisedimeve me VMRO DPMNE-në.
"Besojmë se do të arrijmë marrëveshje të qëndrueshme për të qenë ata që duhet të jemi, ashtu siç kanë vendosur qytetarët tanë", tha zonja Arifi.

XS
SM
MD
LG