Ndërlidhjet

logo-print

BDI-PPD KËRKOJNË NGA BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE MBROJTJEN E MARRËVESHJES SË OHRIT


Isuf Kadriu, Shkup

Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia e Prosperitetit Demokratik, gjendjen në Maqedoni e kanë vlerësuar jo të mirë, si pasojë e mospërfilljes së 120 mijë votave të shqiptarëve nga partia maqedonase VMRO-DPMNE, e cila për të marrë pjesë në qeveri ka ftuar Partinë Demokratike Shqiptare, që nuk mori ebsimin e shqiptarëve në 5 korrik.

"Konsiderojmë se ngjarjet e fundit lëvizin në drejtim mjaft të gabuar. Ftojmë nënshkruesit, garantuesit dhe lehtësuesit e Marrëveshjes së Ohrit, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe NATO-n që të ndërhyjnë sa më shpejt në mënyrë që ngjarjet të marrin kahje pozitive", tha kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Ai ka thënë se koalicioni BDI - PPD nuk e bën këtë për shkak të dëshirës për të qenë pjesë e qeverisë, por për të mbrojtur votën shqiptare të garantuar me marrëveshjen kornizë.

"Apelojmë tek mandatari. Në qoftë se do të jetë kryeministër i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, t'i vërë gishtin kokës dhe të mendojë se në çfarë drejtimi do t'i çojë punët. Ne kemi përgjegjësi që të mos shkelet mbi dinjitetin e komunitetit shqiptar në Maqedoni", tha Ali Ahmeti.

Ndërkohë kryetari i Partisë së Prosperitetit Demokratik Abdyladi Veseli, ka përgënjeshtruar të gjitha zërat e dy ditëve të fundit se gjoja PPD-ja do të braktisë BDI-në dhe do të marrë pjesë në koalicionin e ri qeveritar, për t'i siguruar atij shumicën e votave të bashkësive etnike, për të mos u bllokuar ligjet, miratimi i të cilave nuk mund të bëhet pa votat e bashkësive etnike.

"Ka disa ditë me rradhë që dëgjojmë thirrje se i ka dyert e hapura. Prej këtu ju them nuk është aspak e vërtetë se Partia për Prosperitet Demokratik nuk është e etur për pushtet. Jo pse duam të jemi në opozitë, por për t'i mbrojtur të drejtat e qytetarëve të votuesve tanë, të cilët na besuan në këto zgjedhje", tha kryetari i PPD-së, Abdyladi Veseli, sipas të cilit është e papranueshme që shqiptarët në qeveri, t'i përfaqësojë partia që nuk e ka marrë besimin e popullit shqiptar.
Zoti Veseli tha se koalicioni BDI - PPD edhe më tej do të vazhdojë që përmes formave të ndryshme të shprehë pakënaqësi ndaj gjendjes së krijuar politike në vend.

Nga ana tjetër partia VMRO- DPMNE ka bërë të ditur se nesër do të dihen të gjitha emrat e ministrave të rinj të kabinetit qeveritar, të cilin përveç VMRO-DPMNE-së e përbëjnë dhe Partia Demokratike Shqiptare me katër poste ministrore, Partia e re Socialdemokrate, Partia për Ripërtëritje Demokratike dhe Partia për Ardhmëri Evropiane.
XS
SM
MD
LG