Ndërlidhjet

QËNDRIMI I PRISHTINËS PËR DECENTRALIZIMIN NUK NDRYSHON


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ekipi negociues i Kosovës ka dalë nga takimi rreth tre orësh me qëndrim të pandryshuar lidhur me numrin e komunave të reja që do të duheshin formuar në kuadër të reformës së pushtetit lokal, sipas bisedimeve të zhvilluara në Vjenë.

Skënder Hyseni, zëdhënës i ekipit negociues, tha sot se në takimin e sotëm është diskutuar për takimin e të hënës dhe të martës me ekipet e ekspertëve të zyrës së Ahtisarit dhe lidhur me takimin me zotin Ahtisari të mërkurën, ku pritet të mbizotërojë pikërisht çështja e decentralizimit:

"Ne mbetemi pranë formulës 5+1. Eventualisht me ekspertët e UNOSEK-ut do ta shqyrtojmë mundësinë e zgjerimit me ndonjë zonë kadastrale të komunës së propozuar të Graçanicës dhe komunës së zgjeruar të Novobërdës, ndërsa numri i komunave mbetet i njëjtë, 5+1", tha zoti Hyseni.

Ndërsa sa i përket Mitrovicës, Skënder Hyseni tha se ekipi negociator dhe grupi politik strategjik mendojnë se ngritja e statusit të Mitrovicës në statusin e qytetit me dy komuna urbane, është një propozim racional dhe qyteti i Mitrovicës në një afat të përkohshëm do të qeverisej nga një bord i përbashkët i qytetit, por lëshime të tjera nuk do të ketë:

"Sido që të jetë, rreth kësaj delegacioni i Kosovës është këmbëngulës se nuk mund të ketë bashkim të komunës së Mitrovicës së veriut me asnjë komunë tjetër. Ju e dini që është kërksë e komunitetit serb, por edhe e Beogradit që Mitrovica veriore të bashkohet me komunën e Zveçanit, por për ne kjo është vijë e kuqe dhe refuzohet në mënyrë kategorike."

Zoti Skënder Hyseni tha se bashkëpunimi ndërkomunal dhe ndërkufitar dhe bashkëpunimi i komunave të Kosovës me komunat jashtë Kosovës është i mundur vetëm mbi parimet e konventës së Madridit, ku thuhet qartë se mund të ketë bashkëpunim të komunave të ndryshme të shteteve të ndryshme.

Sidoqoftë, zoti Hyseni tha se qëndrimet e palës kosovare nuk janë larg nga ato të zyrës së Ahtisarit:
"Ne jemi afër arritjes së pajtimit me presidentin Ahtisari pasi e kemi kuptuar seriozisht këtë çështje dhe dallimet janë shumë të vogla, por nëse do të ketë takime të tjera me Beogradin, kjo është vështirë të parashihet."

Zëdhënësi i ekipit negociues Skënder Hyseni tha se Prishtina është e interesuar që sa më shpejt të përmbyllet kapitulli i decentralizimit, pasi kjo do ta përshpejtojë gjithë procesin dhe ka përgjithësisht një përshpejtim të procesit pasi deri sa më parë thuhej se 15 shtatori duhet t’i japë fund decentralizimit tani ky afat është fundi i gushtit, ose vetë fillimi i shtatorit.

Ekipi negociues i Kosovës do të takohet edhe një herë të hënën para takimeve me ekspertët e zyrës së Ahtisarit.



XS
SM
MD
LG