Ndërlidhjet

SERBËT E HOÇËS SË MADHE REFUZOJNË TAKIMIN ME KRYEMINISTRIN ÇEKU


Zijadin Gashi, Prishtinë

Banorët serbë të fshatit Hoçë e Madhe të komunës së Rahovecit, kanë refuzuar sot që të takohen dhe të bisedojnë me kryeministrin e Kosovës Agim Çekun, i cili gjatë një vizite që i bëri kësaj komune u ndal edhe në këtë fshat.

Qëndrimin refuzues të serbëve të këtij fshati që të bisedojnë me të si kryeministër të Kosovës, Agim Çeku e ka konsideruar edhe si rezultat të manipulimeve të shumta, që sipas tij po bëhen nga ana e Beogradit me komunitetin serb në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës tha se komuniteti serb duhet të integrohet dhe ta kuptojë se pavarësia e Kosovës është edhe në të mirën e tyre.

"Ne jemi këtu dhe duhet të bëjmë të gjithë bashkarisht më shumë në integrimin e komunitetit serb. Komuniteti serb në Kosovë sot është i hutuar, është në një konfuzion, ka shumë pyetje pa përgjigje ende, duke u influencuar shumë nga Beogradi. Komuniteti serb në Kosovë sot ka shumë brenga, ka një brengë të madhe se çfarë do të jetë pozita e tyre pas statusit. Ne duhet të komunikojmë me ta, t'i vizitojmë, t'u sqarojmë situatën, t'u sqarojmë ato dilema që ata mund t'i kenë dhe t'u garantojmë që pavarësia e Kosovës do të jetë edhe në favorin e tyre dhe sigurisht se do të jetojnë më mirë sesa janë duke jetuar sot, apo se kanë jetuar dikur", tha Çeku.

Në vazhdim kryeministri Agim Çeku u ka bërë thirrje serbëve që të shikojnë nga Kosova dhe të përfshihen në jetën institucionale. Ai shprehu bindjen e tij se banorët e fshatit Hoçë e Madhe do të donin të takonin kryeministrin, por refuzimi vjen si pasojë e manipulimeve të shumta.

Sidoqoftë Çeku u shpreh i vendosur që ai dhe qeveria e Kosovës të vazhdojnë me angazhimet për integrimin e komuniteteve dhe angazhimet për përmirësimin e jetës së tyre.

"Kjo nuk më befason. Është një pasqyrë e situatës në të cilën sot është komuniteti serb. Janë të manipuluar janë të dirigjuar. Unë jam i bindur që qytetarët e rëndomtë kanë dëshirë ta shohin kryeministrin, kanë dëshirë që t'i dëgjojnë sqarimet e disa pyetjeve, që ata i kanë. Ne do të bëjmë përpjekje që ata të kenë besim të madh në punën tonë, në institucionet në Kosovë lokale dhe qëndrore dhe gradualisht të fillojnë të na dëgjojnë neve, të na drejtohen neve dhe jo dikujt tjetër që kurrë nuk ka qenë në Kosovë dhe as nuk është në Kosovë", tha kryeministri Çeku.

Gjatë vizitës në komunën e Rahovecit, kryeministri Agim Çeku, është pritur dhe nga strukturat e atjeshme udhëheqëse komunale. Ai tha se ka dëgjuar udhëheqjen e atjeshme lidhur me hapat që po i ndërmarrin në përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e kësaj ane. Gjithashtu Çeku ka vizituar edhe fshatin Zoçisht, ku aktualisht po ndërtohen 40 shtëpi për familjet serbe që do të kthehen në këtë fshat.



XS
SM
MD
LG