Ndërlidhjet

ZYRTARË QEVERITARË I CILËSOJNË TË PAPRANUESHME PLANET E SERBISË PËR INVESTIME NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë

Qeveria e Serbisë ka ndarë 30. 8 milionë euro për, siç ka thënë, investime në fushën e ekonomisë, infrastrukturën rrugore, në ndërtim dhe arsim në mjediset e banuara me serbë në Kosovë.

Zëdhënësja e qeverisë së Kosovës Ulpiana Lama thotë se ky plan tregon distancën e thellë nga realiteti të qeverisë serbe.

“Sigurisht që nuk mund të ketë këtu një duplifikim të rolit dhe të funksionit të shtetit, dhe një projekt i tillë nuk mund të pranohet. Gjithmonë do të ketë hapësirë për investime private, por jo për projekte, që synojnë të manifestojnë fuqinë e një shteti, apo të cilat synojnë të manipulohen dhe të përdoren vetëm për qëllime të karakterit politik. Pra, si i tillë projekti është i papranueshëm”, tha Ulpiana Lama.

Qëndrim krejt tjetër ka Rangjel Nojkiq nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë. Ai mendon se një plan i tillë do të ndihmojë në mbetjen e serbëve, por edhe kthimin e të zhvendosurve në Kosovë.

“Nëse mjetet janë të dedikuara dhe të shpenzuara në mënyrën e drejtë, kjo do nënkuptojë shumë për serbët. Kjo do të bënte që serbët të qëndrojnë në këtë hapësirë dhe është një shenjë për serbët se republika e Serbisë dhe qeveria e saj po brengoset seriozisht për serbët e Kosovës”, thotë Nojkiq.

Por, eksperti Iiekonomisë Safet Gërxhaliu, nuk mendon se qeveria e Beogradit brengoset me të vërtetë për serbët. Ai thotë se plani i fundit ka një karakter provokues.

“Duke pasur parasysh situatën ekonomike në Serbi, e tëra kjo është një farsë politike e prodhuar dhe diçka që ka stil tipik nga Serbia. Këto janë më tepër teste dhe provokime të natyrave të veta, sepse një realizim i tillë nuk do të jetë konkret”, thotë Gërxhaliu.

Por, serbët e Kosovës presin që një ndihmë e tillë të zhvillojë mjediset ekonomike ku ata jetojnë. Nojkiq thotë se këto të holla duhet të ndahen në mënyrë të barabartë dhe duhet të mos harrohen vendet që janë të prekura më shumë nga varfëria.

“Para se gjithash për shkak se infrastruktura rrugore është shumë e keqe në mjediset serbe dhe ajo që është më me rëndësi se këto mjete duhet te ndahen duke u bazuar në vendbanimet, dhe numrin e banorëve në to. Paratë duhet të shpenzohen më tepër në mjediset qendrore të Kosovës, por pa lënë anash edhe pjesët e tjera”, thotë Nojkiq.

Në anën tjetër eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, i bën thirrje qeverisë që të mos lejojë një sistem të tillë dualizmi në Kosovë.

“Besoj se kjo është edhe një vërejte për bashkësinë ndërkombëtare, që ta kuptojë realitetin se me kë ka të bëjë, dhe nga aspekti i ekspertit të pavarur, një gjë e tillë ka më tepër karakter provokues sesa ata brengosen aq shumë për situatën e serbëve në Kosovë”, thotë Safet Gërxhaliu.

Gërxhaliu thotë se përmes këtij plani qeveria serbe synon të manipulojë serbët lokalë të Kosovës.
“Një hap i tillë çfarë ka bërë qeveria serbe ka më shumë konotacion politik sesa ekonomik. E them këtë në kontekstin e brendshëm dhe të jashtëm; në kontekstin e jashtëm ku është qeveria e Serbisë dhe hapat e saj për të penetruar në Kosovë, ndërsa në aspektin e brendshëm, përmes manipulimeve të pakicës serbe në Kosovë tentohet që të fitohet poenë politike. Një gjë e tillë është shumë më tepër marketing, sesa realitet”.

Qeveria e Serbisë vazhdon që nga përfundimi i luftës të financojë strukturat paralele serbe në Kosovë, që janë të instaluara në veri si dhe nëpër enklavat serbe në pjesë të ndryshme të Kosovës.
Shuarjen e strukturave paralele nuk ka mundur ta bëjë as administrata ndërkombëtare e as institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG