Ndërlidhjet

GJENERALI KATHER KËRKOI PËRKRAHJEN E INSTITUCIONEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Komandanti i ri i KFOR-it, gjenerali gjerman Roland Kather ka kërkuar sot përkrahjen e popullit dhe institucioneve të Kosovës në angazhimet e tij për një ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjithë në Kosovë.

Pas takimeve që gjenerali Kather zhvilloi me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryetarin e Kuvendit, Kolë Berisha, ai tha se është kënaqësi për të që të rikthehet në Kosovë dhe të shohë përparimet e bëra dhe të punojë për të ardhmen e Kosovës.

“Unë do të dëshiroja të punoja shumë ngushtë me popullin e Kosovës, sepse është një vend shumë i mirë. Besoj se ia vlen të punosh për të ardhmen Kosovës dhe popullit të saj dhe për këtë dhe jam këtu”, tha gjenerali gjerman, Roland Kather.

Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu e ka përgëzuar gjenerali Kather për detyrën e re duke i ka ofruar mbështetje të plotë, duke e siguruar atë dhe për bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore. Sejdiu tha se Kosova, me ndihmën e KFOR-it, ka filluar tashmë rrugën e saj drejt integrimeve në strukturat euro-atlantike.

“Mund të them se është një përparësi shumë e madhe që ky vazhdon misionin në një ambient që e njeh shumë mirë. Ka qenë në vitin 1999 në kohën e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, një nga pjesëmarrësit apo udhëheqësit e komandës bashkë me trupat gjermane dhe natyrisht në një periudhë sa ka udhëhequr me këto trupa në Brigadën e Jugut, vërtetë ka demonstruar shkathtësi të jashtëzakonshme dhe për atë edhe është zgjedhur që të udhëheqë me këto forca tani. Institucionet e Kosovës kanë besim të plotë, unë i thashë edhe në takimin e përbashkët që i kemi 24 orë të punës së përbashkët në çdo moment”, tha presidenti Sejdiu.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, i cili gjithashtu priti komandantin e KFOR-it, tha se gjatë këtij takimi kanë biseduar për zhvillimet e fundit në vend duke vazhduar edhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm me trupat paqëruajtëse të KFOR-it.

“I premtova se dyert e Kuvendit do të jenë gjithmonë të hapura për ndihmë dhe për të pranuar ndihmën e KFOR-it, pra ishte takim njohës por edhe takim pune, sepse trajtuam një varg problemesh të vetëdijshëm se në momentin e pikërishëm shumë sfida na presin përpara dhe momente vendimtare, prandaj na duhet ndihma e KFOR-it”, theksoi Berisha.

Komandanti i ri i forcës shumëkombëshe të NATO-s në Kosovë, përkatësisht KFOR-it, Rolan Kather mori detyrën të premtën e kaluar, më 1 shtator. Ai ka pasuar në këtë post gjeneralin italian Giuseppe Valotto. Roland Kather ka shërbyer në kuadër të KFOR-it në Kosovë edhe gjatë fazës së parë të misionit ushtarak në vitin 1999.

Pas takimeve të sotme me udhëheqësit kosovar, Kather tha se atij dhe forcës ushtarake të KFOR-it i duhet bashkëpunimi dhe mbështetja e popullatës dhe institucioneve të Kosovës.



XS
SM
MD
LG