Ndërlidhjet

DOBBINS:"NATO DHE BE TË AFTA PËR TË IMPONUAR ZGJIDHJEN PËR KOSOVËN"


James DOBBINS, ish emisar i SHBA-ve për Ballkanin

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dobbins, si i shihni bisedimet aktuale rreth statusit të Kosovës dhe a mendoni se do ta kemi zgjidhjen deri në fund të vitit?

JAMES DOBBINS
Varet se çfarë kuptohet me zgjidhje. Mendoj se deri në fund të vitit do kemi raportin e zotit Ahtisari me rekomandimet përkatëse, por nuk do llogarisja se Këshilli i Sigurimit do vepronte brenda këtij afati kohor, pra brenda fundit të vitit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahtisari deklaroi së fundi se nëse vendet e Grupit të Kontaktit nuk merren vesh rreth statusit, atëherë atij i mbetet shumë pak për të bërë.
Njëherësh Putin ka tërhequr vëmendjen se do përdorë veton në Këshillin e Sigurimit, nëse nuk është dakord me zgjidhjen e statusit. A ka ndarje të thella mes vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit?

JAMMES DOBBINS
Besoj se ka dallime mes tyre, pasi ka pasur të tilla që në fillim dhe ato nuk janë eliminuar plotësisht. Mendoj se do kërkoj jo pak përpjekje gjetja e një zgjidhje të pranueshme nga të gjitha vendet e Grupit të Kontaktit për statusin. Nëse një gjë e tillë nuk arrihet atëherë i mbetet Ahtisarit që të japë vlerësimin e tij bazuar në gjykimin më të mirë të mundshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur informacione në media se Këshilli i Sigurimit do miratojë një rezolutë e cila do t'ia heqë Serbisë sovranitetin mbi Kosovën, por pa e përmendur pavarësinë, si përpjekje për marrëveshje brenda bashkësisë ndërkombëtare. Si e gjykoni një skenar të tillë?

JAMES DOBBINS
Supozoj se kjo është një nga mënyrat për të evituar dallimet dhe për të ecur përpara me faza, duke ia hequr sovranitetin Serbisë, duke e shtyrë pavarësinë dhe duke e lënë e Kosovën në varësi të bashkësisë ndërkombëtare për një periudhë kohe. Ndonëse është e diskutueshme dhe tani se çfarë sovraniteti ka Serbia kur rezoluta 12-44 flet për Jugosllavinë që sot nuk ekziston më.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas informacioneve të mediave javën e ardhshme Ahtisari do t'i raportojë Këshillit të Sigurimit se nuk mbetet shumë për t'i afruar qëndrimet mes palëve, që vazhdojnë të mbeten të ndara. A paralajmëron kjo një zgjidhje të imponuar?

JAMES DOBBINS
Nëse të dyja palët nuk bien dakord atëherë zgjidhja e imponuar mbetet zgjidhja e vetme.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të kemi një zgjidhje të imponuar nëse "lojtarë" të bashkësisë ndërkombëtare nuk bien dakord?

JAMES DOBBINS
NATO-ja dhe Bashkimi Evropian janë të afta të imponojnë zgjidhjen pa një marrëvesdhje mes gjithë faktorit ndërkombëtar, njësoj siç ndodhi kur u shkua në luftë për të çliruar Kosovën. Teorikisht është e mundur, ndonëse nuk mendoj se NATO-ja dhe BE-ja do donin të ecnin në këtë drejtim. Ato do përpiqen që të arrijnë në mos marrëveshje mes palëve, një marrëveshje brenda Këshillit të Sigurimit. Por në fund, nëse edhe kjo nuk arrihet mbetet alternativa e veprimit të njëanshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët NATO-n dhe BE-në. Është thënë se BE-ja mund të marrë sovranitetin e Kosovës deri në zgjidhjen përfundimtare. A është Brukseli i përgatitur dhe i gatshëm për një detyrë të tillë?

JAMES DOBBINS
Nëse rezoluta e Këshillit të Sigurimit e bën të qartë se Serbia nuk ka më sovranitet mbi Kosovën atëherë në mungesë të ndonjë sqarimi shtesë, sovraniteti do t'u mbetet Kombeve të Bashkuara, siç është aktualisht.
Është e mundur që rezoluta t'ia kalojë sovranitetin Bashkimit Evropian dhe kjo është e afërt me atë që ndodhi në Bosnjë, megjithë faktin se Bosnja është një vend i pranuar, sovran dhe i pavarur.
Por edhe nëse Bashkimi Evropian do marrë përsipër përgjegjësitë e administrimit, që aktualisht i kanë Kombet e Bashkuara për një periudhë disa vjeçare, çështjet e sigurisë do t'i mbeteshin NATO-s dhe kjo përgjegjësi nuk do t'i kalonte menjëherë Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e Shteteve të Bashkuara? A mendoni se ato do punojnë shumë për një zgjidhje brenda vitit?

JAMES DOBBINS
Siç e thashë dhe mësipër Ahtisari do përgatisë raportin deri në fund të vitit, derisa nuk jam i sigurt se Shtetet e Bashkuara do këmbëngulin që Këshilli i Sigurimit të gjejë një zgjidhje të statusit deri në fund të vitit, ndonëse mund ta dëshirojnë një gjë të tillë. Nëse procesi merr dhe disa javë apo muaj më shumë nuk do jetë fundi i botës.
Shtetet e Bashkuara do përpiqen që të arrihet miratimi i një rezolute në Këshillin e Sigurimit, ashtu siç do bëjnë edhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian. Por duhet të kemi parasysh se administrata Bush ka shumë gjëra të cilat e preokupojnë për momentin dhe Kosova nuk është në krye të agjendës.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG