Ndërlidhjet

S.BAZDNIKIN: NUK DO TË PARAGJYKOJ NËSE RUSIA DO TË PËRDORË VETON PËR STATUSIN


Albana Isufi, Prishtinë

Përfaqësues të Federatës Ruse sinjalizojnë se në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës mund të përdorin të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Kjo është thënë ditë më parë nga presidenti rus Vladimir Putin, ndërsa sot në Prishtinë është përsëritur nga shefi i zyrës ruse, Sergei Bazdnikin.

“Dua të them se e drejta e vetos është pjesë e patjetërsueshme e politikës. Ne kemi këtë të drejtë dhe do ta konsiderojmë me kujdes nëse ndonjë zgjidhje e ardhshme për statusin e Kosovës nuk do t’i përmbushë të drejtat ndërkombëtare, si dhe interesat e Federatës Ruse,” tha Bazdnikin, i cili nuk dëshiron që megjithatë të paragjykojë nëse në të vërtetë do të përdoret vetoja.

“Nuk duam të paragjykojmë nëse do ta përdorim këtë të drejtë, por definitivisht ne e kemi këtë të drejtë dhe duhet të jetë e qartë për secilin”, tha Bazdnikin.

Ai i bëri këto komente pas takimit lamtumirës me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu. Ky i fundit ka kërkuar nga Federata Ruse që ta mbështesë opsionin e pavarësisë, që sipas tij do të ofrojë stabilitet në rajon.

“Kërkesa ime e vazhdueshme është sikurse edhe për vendet e tjera, që Rusia ta mbështesë pavarësinë e Kosovës, që ne e konsiderojmë si opsionin më të përkushtuar apo shpirtëror të popullit të Kosovës dhe në këtë drejtim mund të falënderojmë angazhimet e deritashme të Rusisë, me gjithë mekanizmat ndërkombëtarë për t’i ndihmuar procesin. Natyrisht këta e kanë një qëndrim të tyre që e kanë shprehur përmes diplomacisë së tyre”, tha presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu e siguroi zotin Bazdnikin se pavarësia e Kosovës do të ishte edhe në interes të vetë Federatës Ruse.
”Unë mendoj se interes i përgjithshëm edhe i Rusisë është me plot gojën ajo që kam thënë, që të krijojmë zgjidhje e cila do t’i kontribuonte në stabilitetin e përgjithshëm dhe ne kërkojmë një rajon stabil”, përsëriti zoti Sejdiu.

Presidenti Fatmir Sejdiu me shefin e zyrës ruse ka diskutuar edhe zhvillimet aktuale të procesit negociator, por edhe takimet e kësaj jave në Këshillin e Sigurimit, të cilat vlerësohen të jenë jetike për procesin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

“Janë takime shumë të rëndësishme në nivelin e Këshillit të Sigurimit dhe raportimi i zotit Ahtisari mendoj se do të jetë një analizë përmbledhëse e të arriturave në Kosovë, në procesin e negociatave. Mendoj se do ketë kahje të reja të zhvillimit të këtij procesi. Një emërues i përbashkët është se ky proces do të përfundojë më 2006”, tha zoti Sejdiu.

Këtë javë Grupi i Kontaktit do të mbajë në Nju Jork një takim në nivel të ministrave të jashtëm, në të cilin kryenegociatori ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, do të raportojë për arritjet në procesin negociator dhe siç është thënë pritet që të marrë dritën jeshile për të propozuar opsionin për statusin e Kosovës.

Disa nga vendet e Grupit të Kontaktit tashmë kanë sinjalizuar se do të mbështesin opsionin më të të përfolur – pavarësinë për Kosovën. I pyetur nëse edhe Rusia do ta mbështesë Grupin e Kontaktit, po qe se arrihet pajtueshmëri për këtë opsion, shefi i zyrës ruse Sergei Bazdnikin thotë se Rusia do të ruajë unitetin brenda këtij grupi.

“Pozicioni i Rusisë, sikurse edhe i partnerëve të tjerë në Grupin e Kontakit do të jetë i unifikuar, si rezultat i bisedimeve të ditëve dhe javëve të ardhshme”, tha Bazdnikin.


XS
SM
MD
LG