Ndërlidhjet

SHKUP: TAKOHEN KRYEMINISTRAT GRUEVSKI DHE ÇEKU


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

"E informova kryeministrin Gruevski dhe delegacionin e tij, për proceset nëpër të cilët po kalon Kosova dhe për shpresën tonë të madhe që ky proces do të finalizohet brenda këtij viti me pavarësinë e plotë të Kosovës. Gjithashtu i informova për angazhimin dhe përkushtimin tonë, që në Kosovë ta ndërtojmë një shtet demokratik, shtet modern, shtet multietnik, një shtet funksional dhe stabil, një shtet ekonomikisht të qëndrueshëm, vend me një marrëdhënie partneriteti me gjithë fqinjët në rajon, me një aspiratë të fuqishme për integrime euroatlantike, por në veçanti, vend i cili çmon, aplikon, përkrah vlerat bashkohore të mbrojtjes së njeriut në radhë të parë, dhe atëhere të mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë", ka deklaruar kryeministri i Kosovës Agim Çeku gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Shkup.

Ai më pas tha se pavarësia e Kosovës njëherit do të thotë dhe stabilitet më i qëndrueshëm për tërë rajonin.
"Ne jemi të bindur se pavarësia e Kosovës është në të mirë edhe të vendeve në rajon përfshirë Maqedoninë. Kosova e pavarur do të jetë një forcë për të mirë në rajon dhe do të ndikojë dukshëm në proceset e stabilizimit dhe sigurisë në rajon", tha kryeministri i Kosovës Agim Çeku.

Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, ka theksuar se për Maqedoninë do të jetë e pranueshme çfarëdo zgjidhje e statusit përfundimtar të Kosovës, të cilën do ta mbështesë komuniteti ndërkombëtar.

"Republika e Maqedonisë do të mbështetë vendimin e Kombeve të Bashkuara në lidhje me statusin e Kosovës, cilido qoftë ai", ka theksuar kryeministri Gruevski, duke bërë të ditur se temë bisede me homologun e tij kosovar ka qenë dhe përcaktimi i vijës kufitare midis Maqedonisë dhe Kosovës.

"Për ne si shtet është me rëndësi që kjo çështje të mbyllet sa më parë. Jemi dakort me zotin Çeku se bëhet fjalë për një çështje tipike teknike. Me këtë rast, edhe njëherë kam shprehur qëndrimin tonë se ne si qeveri jemi të interesuar që përcaktimi i vijës kufitare të bëhet në paketë me zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës", ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski.

Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës Çeku ka thënë se në interesin e të dy vendeve është intensifikimi i bashkëpunimit në lëminë e ekonomisë.
"Bashkarisht ne, vendet në rajon, sidomos Kosova dhe Maqedonia, bashkarisht mundemi të jemi një treg më i madh, por edhe një fuqi ekonomike më e madhe në Evropë. Mundemi me qenë një udhëkryq shumë i rëndësishëm i transportit dhe komunikacionit në Evropë. Bashkarisht mundemi me qenë një zë më i fuqishëm politik, bashkarisht mundemi të integrohemi në NATO dhe në Evropë shumë më shpejt dhe bashkarisht mund të paraqesim një potencial shumë më të madh dhe më të fuqishëm për të ardhmen", tha kryeministri i Kosovës Agim Çeku, duke vlerësuar angazhimin e qeverisë së Gruevskit për implementimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe për relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend.






XS
SM
MD
LG