Ndërlidhjet

JIANG:"OPTIMISTË PËR MBYLLJEN E PROCESIT DERI NË FUND TË VITIT"


Hua JIANG, zëdhënëse e emisarit special të OKB-së Marti Ahtisari

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahtisari do raportojë para Këshillit të Sigurimit rreth përparimit të shënuar deri tani në negociatat Prishtinë-Beograd. Cilat do jenë pikat kryesore të raportit të zotit Ahtisari?

HUA JIANG
Druaj se nuk mund të flas gjerësisht për pikat e raportit të zotit Ahtisari para fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit. Ajo që mund të them është se ai do flasë për zhvillimet më të fundit në këtë proces. Ai në veçanti synon ta informojë Këshillin e Sigurimit lidhur me hapat që planifikon të marrë në muajt e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Në mbledhjen e së mërkurës Grupi i Kontaktit i hapi rrugën zotit Ahtisari të japë propozimin e vet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe kërkoi që kjo të bëhet deri në fund të këtij viti. Si e shihni një gjë të tillë dhe çfarë masash planifikoni të merrni?

HUA JIANG
Grupi i Kontaktit edhe më parë, në deklaratën e 27 korrikut ka hapur rrugën dhe përcaktuar drejtimet bazë për ecurinë e procesit. Që atëherë UNOSEK-u ka përgatitur projekt-dokumenta. Diskutimet teknike rreth decentralizimit, të drejtave të pakicave, trashëgimisë dhe ekonomisë do të përfshihen në dokumentin bazë. Në këtë mënyrë ne kemi përgatitur projekt dokumentat tona për këto çështje dhe e kemi nisur procesin e kërkuar nga Grupi i Kontaktit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyra juaj do të ofrojë raporte të ndara për çështjet teknike dhe një tjetër për statusin, apo e gjitha do jetë pjesë e një dokumenti?

HUA JIANG
Ne shpresojmë që të paraqesim një dokument për të cilin palët janë pajtuar, por siç e dini ka ende mosmarrëveshje mes palëve. Ne do t'i vazhdojmë bisedimet teknike për aq kohë sa është e nevojshme dhe qëndrimet mund të afrohen. Bisedimet teknike ende nuk kanë përfunduar, por le të shohim nëse do jemi në gjendje t'i sjellim palët në pozicione të përbashkëta për të gjitha këto çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke u nisur nga kjo që thatë, bisedimet teknike do vazhdojnë dhe më tej...?

HUA JIANG
Këto bisedime nuk do të jenë patjetër në formatin e deritashëm të takimeve të drejtpërdrejta në Vjenë. Ne kemi organizuar mbi 20 takime ekspertësh në terren. Kjo do të thotë se takimet nuk do jenë detyrimisht të stilit të Vjenës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahtisari ka deklaruar javë më parë se nëse vendet e Grupit të Kontaktit nuk bien dakord për zgjidhjen e statusit atij i mbetet pak për të bërë. Pas mbledhjes të së mërkurës së Grupit të Kontaktit a mendoni se vendet në fjalë kanë gjetur gjuhën e përbashkët lidhur me të ardhmen e Kosovës?

HUA JIANG
I dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin ka qenë gjithmonë shumë i kënaqur me mbështetjen e dhënë nga vendet e Grupit të Kontaktit dhe unitetin e treguar rreth kësaj çështje. Edhe deklarata e djeshme përsëriste mbështetjen në fjalë dhe në këtë kuptim Ahtisari është i kënaqur të vazhdojë punën nën drejtimin e parimeve të caktuara nga Grupi i Kontaktit.

RADIO EVROPA E LIRË
Por Rusia si vende anëtare e Grupit të Kontaktit ka thënë se do përdorë veton nëse zgjidhja e statusit nuk përputhet me interesat e saj. A mendoni se është gjetur zgjidhje për këto mosmarrëveshje?

HUA JIANG
Ne asnjëherë nuk komentojmë deklarimet e vendeve të veçanta të Grupit të Kontaktit. Ne udhëhiqemi në punën tonë nga deklaratat e përbashkëta të Grupit të Kontaktit duke filluar nga ajo e janarit deri tek kjo e së mërkurës.
Ne punojmë bazuar në deklaratat e mësipërme dhe jo të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
A është zoti Ahtisari i gatshëm të sjellë propozimet e tij mbi statusin e Kosovës deri në fund të vitit apo kur mund ta bëjë një gjë të tillë?

HUA JIANG
Ahtisari nuk i caktoi vetë afatet kohore, ato na u dhanë nga Grupi i Kontaktit. Ne jemi të detyruar të respektojmë afatet e përcaktuara. Nuk ka qenë zoti Ahtisari që në mnyrë artificiale i ka vënë këto afate. Nëse Grupi i Kontaktit dëshiron ta ketë procesin të përmbyllur deri në fund të vitit 2006 atëherë ne jemi të detyruar ta bëjmë një gjë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
A jeni optimistë se do ta arrini?

HUA JIANG
Gjithmonë jemi optimist.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG