Ndërlidhjet

Blinken u thotë Izraelit dhe Hamasit se “ka ardhur koha” për armëpushim


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës më 30 prill në Jordani.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës më 30 prill në Jordani.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, takoi liderët izraelitë më 1 maj, gjatë vizitës së tij në Izrael, dhe i tha presidentit të vendit se “ka ardhur koha” për një marrëveshje armëpushimi në luftën në Gazë.

Kjo është vizita e shtatë e Blinkenit që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në tetor. Ai po përpiqet të arrijë një marrëveshje armëpushimi, që do të lironte pengjet e mbajtura nga militantët e Hamasit në këmbim të ndalimit të luftimeve. Të burgosurit palestinezë gjithashtu pritet të lirohen si pjesë e marrëveshjes.

Blinken ka fajësuar Hamasin për çdo vonesë në arritjen e një marrëveshjeje.

“Ne jemi të vendosur të arrijmë një armëpushim që sjell pengjet në shtëpi dhe ta arrijmë atë tani, dhe arsyeja e vetme që kjo nuk do të arrihej është për shkak të Hamasit”, tha ai.

Blinken vizitoi udhëheqësit kryesorë rajonalë në Arabinë Saudite dhe Jordani përpara se të mbërrinte në Izrael. Ai u takua me presidentin izraelit, Isaac Herzog, dhe do të takohej më vonë me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, ai do të takohet edhe me familjet e pengjeve si dhe do të vizitojë një port izraelit ku po lekohet hyrja e ndihmave humanitare që dërgohet në Gazë.

Marrëveshja në zhvillim mes Izraelit dhe Hamasit duket se po avancon, raporton agjencia e lajmeve AP, por një pikë kyçe ku ajo po ngec mbetet dyshimi nëse lufta do të përfundojë si pjesë e marrëveshjes – kërkesë që Hamasi e ka përsëritur e që Izraeli e refuzon.

Të martën, Blinken tha se Izraeli planifikon të hapë një vendkalim të madh të ndihmave humanitare në Gazën veriore. Lufta Izrael-Hamas ka rrafshuar pjesë të mëdha të veriut të Gazës dhe uria është e pashmangshme për qindra mijëra civilë që mbeten atje.

Gati shtatë muaj të bombardimeve izraelite dhe ofensivave tokësore në Gazë kanë vrarë më shumë se 34.000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë, dhe kanë shkaktuar një katastrofë humanitare.

Lufta Izrael-Hamas u nxit nga sulmi i paprecedentë i 7 tetorit në jug të Izraelit, ku militantët vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe rrëmbyen rreth 250 pengje. Izraeli thotë se militantët ende mbajnë rreth 100 pengje dhe eshtrat e më shumë se 30 të tjerëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG