Ndërlidhjet

Dy nëna LGBT në Shqipëri: Të kërcënuara dhe në betejë për t’u regjistruar si familje


Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj gjatë një parade të krenarisë në Tiranë, Shqipëri.
Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj gjatë një parade të krenarisë në Tiranë, Shqipëri.

Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj, pjesëtare të komunitetit LGBT në Shqipëri, presin ende të zbulohet personi që i kërcënoi me jetë.

Në Prokurorinë e Tiranës nuk është hedhur ende shorti se cili prokuror do ta hetojë rastin e tyre.

Një mëngjes shkurti, ato po bëheshin gati si çdo ditë tjetër për t’i çuar vajzat 3-vjeçare në çerdhe, kur Alba vuri re se në Facebook kishte një mesazh që i kërcënonte me jetë.

Pas tronditjes që pësuan, rastin e denoncuan në polici. Eda i shkroi edhe ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, i cili i konfirmoi gatishmërinë e autoriteteve për hetime.

Në mbështetje të dy grave LGBT u organizua edhe një protestë në Tiranë, ku, veç anëtarëve të këtij komuniteti, morën pjesë edhe ambasadorë të huaj, përfshirë atë të Bashkimit Evropian, Silvio Gonazato.

U kërcënuan me jetë me një mesazh online

I njëjti mesazh kërcënues iu dërgua si Edës, ashtu edhe Albës nga një person i panjohur.

Eda tregon se vuri re shqetësim në sytë e Albës, ndërsa bëheshin gati të dilnin nga banesa e tyre.

“Alba e kishte parë mesazhin dhe ishte menduar nëse duhej të ma thoshte ose jo. Mes frikës dhe shqetësimit që ndjente, vendosi të ma thoshte”, kujton Eda.

Mesazhi kërcënues mbante datën 10 shkurt.

“Kur e hapa profilin tim në Facebook, pashë se i njëjti mesazh, vetëm me një minutë vonesë, më ishte dërguar edhe mua”, thotë Eda.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon se rastin e raportuan në polici, ndërsa pas disa ditësh shkuan edhe në prokurori, ku iu tha se ai “po hetohet” dhe se do të kontaktohet edhe kompania META, që udhëheq Facebookun, për të zbuluar se kush fshihet pas kërcënimit.

“Profili është çaktivizuar, por shpresojmë se mund të identifikohet”, thotë Eda.

Ajo thotë se zona që u përmend në kërcënim, frekuentohej prej tyre çdo fundjavë, por prej asaj dite nuk e vizituan më.

Edhe pse kaluan disa javë, thotë se është e trembur dhe se nuk e kupton se si një person që sheh dy gra me dy fëmijë, mund të bëjë një kërcënim të tillë.

Alba thotë se kjo ngjarje e ka ndikuar jetën e tyre.

“Kemi ndenjur me net pa gjumë, kemi menduar përse po ndodh kjo, çfarë duhet të bëjmë... Ky ka qenë kërcënimi i parë me jetë, ndërsa më herët kemi pasur ofendime në rrjetet sociale”, thotë Alba për Radion Evropa e Lirë.

“Nuk është e drejtë të vuash për dashurinë”

Të dyja thonë se do të bëjnë gjithçka për të zbuluar se kush i kërcënoi. Kjo, edhe për faktin se nuk duan që një kërcënim i tillë t’u bëhet anëtarëve të tjerë të komunitetit LGBT.

“Nuk është e drejtë të vuash për dashurinë, thjesht se do dikë... pavarësisht nëse i përket së njëjtës gjini”, thotë Eda, e cila tash e 14 vjet është në lidhje me Albën dhe bashkë udhëheqin një qendër për të drejtat e komunitetit që i takojnë.

“Shumë pak njerëz [të komunitetit LGBT] dilnin publikisht në atë kohë, kur unë kam dalë hapur”, thotë Alba.

“Me prindërit e mi nuk kam folur për një vit, por edhe më pas ka qenë një marrëdhënie e ftohtë, krejt zyrtare. Pas kaq kohësh është ndryshe. Na ndodh që edhe zonja të moshës së tretë na ndalojnë në rrugë dhe na përgëzojnë. Kjo është shumë me rëndësi për ne”, thotë ajo.

Edlira Mara (djathtas) dhe Alba Ahmetaj në Tiranë, Shqipëri.
Edlira Mara (djathtas) dhe Alba Ahmetaj në Tiranë, Shqipëri.

Edhe Eda rrëfen vështirësitë e fillimit të lidhjes së tyre dhe shpalljes së saj. Ai moment, thotë ajo, i ka treguar se kush e do vërtet. Thotë se është detyruar edhe t’i ndërpriste kontaktet me disa njerëz që nuk e pranonin, ndërsa për shumë kohë kujton se kanë jetuar kryesisht të mbyllura.

Alba tregon se shpesh janë gjendur edhe në situata kur çifte të komunitetit LGBT, që shprehnin hapur dashurinë e tyre, fyheshin ose kërcënoheshin.

Në mendje thotë se i ka mbetur edhe një ngjarje kur kanë qenë në rrezik bashkë me vajzat e tyre.

“Ne mbanim në duar flamurin e LGBT-së dhe disa fëmijë e njohën atë dhe u organizuan menjëherë... Njëri prej tyre iu afrua njërës prej vajzave tona dhe ishte gati ta shtynte. Ishte fat që nuk ndodhi asgjë, por ishin shumë agresivë”, thotë Alba.

Situata të tilla, shton ajo, tregojnë se sa shumë duhet edukuar shoqëria për komunitetin me orientim të ndryshëm seksual.

Përpjekje prej vitesh për ta regjistruar familjen me dy nëna

Kërcënimi me jetë dhe përpjekja për të zbuluar autorin nuk janë beteja e parë për dy gratë. Prej katër vjetësh ato po përpiqen ta regjistrojnë familjen e tyre me dy nëna.

“Nuk e dimë se sa do të zgjasë, por nuk do ta lëmë me kaq. Vajzat i kemi regjistruar në emër të Edës. Ne e dimë që gjendja civile nuk ka faj, por çështja është se politikanët po ndryshojnë ligje disa herë për interesa të ndryshme. Përse të mos ndryshohen për ne”, thotë Alba.

Aleanca LGBT në Shqipëri ka vite që kërkon ndryshime në Kodin e Familjes, që do të mundësonin martesat e çifteve me gjini të njëjtë dhe birësimin e fëmijëve nga to.

Ashtu si vendet e tjera të Ballkanit që synojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, Shqipëria ka miratuar disa ligje kundër diskriminimit për shkak të orientimit seksual, por martesat, për shembull, nuk njihen ende.

Eda dhe Alba kujtojnë edhe vështirësitë që kishin hasur disa vite më parë, kur kishin vendosur të sillnin në jetë dy vajzat e tyre, përmes metodës së njohur si IVF.

Edlira Mara duke mbajtur në përqafim dy vajzat e veta pas lindjes.
Edlira Mara duke mbajtur në përqafim dy vajzat e veta pas lindjes.

Thonë se u është dashur të këmbëngulin dhe të kontaktojnë një numër të madh klinikash, derisa njëra prej tyre mori përsipër të kryejë procedurën për shtatzëninë e Edës.

Dy gratë janë sot përfaqësuese të zëshme të kauzës së komunitetit LGBT në Shqipëri, por pranojnë se vështirësitë e tyre nuk krahasohen me ato të një pjese të mirë të komunitetit.

Dhunë, abuzim, diskriminim…

Adelajda Alikaj udhëheq Qendrën “Streha” në Shqipëri, e cila është e vetmja qendër rezidenciale për këtë komunitet, ku trajtohen anëtarë nga trevat shqipfolëse. Target i saj janë të rinjtë e moshave 18-29 vjeç.

“Ata që marrin shërbime te ne, kanë histori dhune, abuzimi, diskriminimi e mundësi të pabarabarta, për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor... pastaj, probleme me strehimin, gjendjen psikologjike, braktisje nga familja dhe shoqëria...”, thotë Alikaj për Radion Evropa e Lirë.

Qendra ofron strehim të sigurt, por edhe shërbime ligjore, psikologjike, shëndetësore, si dhe kurse profesionale.

Në një shoqëri kryesisht patriarkale, Alikaj thotë se pjesëtarët e komunitetit LGBT që dalin hapur, përballen me vështirësi.

“Familjet shqiptare janë konservatore, kur mësojnë se fëmija i tyre i përket komunitetit LGBT... I nxjerrin jashtë shtëpisë, duke mos e duruar presionin e madh. Ata vijnë te ne të diskriminuar nga familja, shoqëria, bashkëmoshatarët, por shpesh edhe nga mësuesit dhe psikologët e shkollave”, thotë drejtuesja e qendrës “Streha”.

Ajo tregon se dhuna online është aktualisht më e përhapura.

Sipas saj, ka rreth një vit që fyerjet dhe denigrimi kryesisht në platformën Tik-Tok, janë kthyer në fenomen shqetësues.

Thotë se edhe stafi i qendrës që udhëheq, gjendet shpesh përballë kërcënimeve e fyerjeve.

Ekspertja për të drejtat e njeriut, këshilltare pranë Komisionarit kundër Diskriminimit në Shqipëri, Bruna Menalla, bën të ditur se ka një çekuilibër mes qyteteve dhe zonave rurale sa i takon diskriminimit të këtij komuniteti.

“Tirana është më e ndërgjegjësuar, ka pranim më të gjerë. Rrethet e tjera janë ende në një situatë ku është e paimagjinueshme që dikush të deklarojë hapur se i përket komunitetit LGBT”, thotë Menalla për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, ky komunitet diskriminohet edhe në punësim. Por, thotë se shpesh është e vështirë të vërtetohet ajo që raportohet si diskriminim.

Menalla thotë se shoqëria shqiptare është ende “një shoqëri që paragjykon” dhe se “e drejta e të qenët ndryshe nga të tjerët, është ende e largët”.

Përkundër sfidave, në Tiranë ka më shumë se dhjetë vjet që mbahet Parada e Krenarisë, ku pjesëtarë të komunitetit LGBT marshojnë për të drejtat e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG