Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i ka bërë thirrje homologut të tij iranian, Ebrahim Raisi që të angazhohet “në mënyrë konstruktive” në bisedimet që po mbahen në Vjenë, që kanë për qëllim ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore.
Gjatë një bisede telefonike më 29 nëntor, sipas Presidencës franceze, Macron i tha Raisit se objektivi i Parisit zyrtar është “të shohë Iranin që i rikthehet respektimit të plotë të të gjitha zotimeve” të marrëveshjesh dhe “Shtetet e Bashkuara të rikthehen në marrëveshje”.
Zyra e Raisit tha se presidenti iranian ka thënë se “dërgimi i një ekipi të plotë tregon vullnetin serioz të Iranit” në bisedimet që po mbahen në Vjenë të Austrisë.
Marrëveshja bërthamore ka vendosur kufizime strike për programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Por, që prej se SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja më 2018 dhe rivendosi sanksione të ashpra ekonomike ndaj Iranit, ky i fundit nisi gradualisht të shkelë kufizimet e vendosura në marrëveshje.
Negociatorët, që kanë nënshkruar këtë marrëveshje, rinisën bisedimet në Vjenë më 29 nëntor, pas një ndërprerje pesëmujore, që pasoi zgjedhjen e presidentit Raisi në Iran dhe rritjes së shqetësimeve në Perëndim mbi përparimet bërthamore që ka bërë Irani në programin e tij të pasurimit të uraniumit, që mund të çojë deri te krijimi i bombës bërthamore.
Zyrtarët iranianë vazhdimisht thonë se programi bërthamor i Teheranit ka qëllime paqësore.
Pas sesionit të parë të bisedimeve në Vjenë më 29 nëntor, i dërguari i Bashkimit Evropian, Enrique Mora tha për gazetarët se “ekziston një urgjencë që marrëveshja bërthamore të rikthehet në jetë” dhe shtoi se ai ndihej “jashtëzakonisht pozitiv” për këtë rund bisedimesh.
Presidenti amerikan, Joe Biden është zotuar se do të rikthehet në marrëveshje, nëse Irani respekton të gjitha pikat e marrëveshjes, por Teherani ka thënë se dëshiron që fillimisht Uashingtoni t’i bashkohet marrëveshjes.
Presidenti francez, Macron ka kërkuar nga Raisi që Irani t’i kthehet respektimit të marrëveshjes “pa vonesa”.
Raisi ndërkaq i ka kërkuar presidentit francez “të përpiqet me palët e tjera në Vjenë që bisedimet të përfundojnë dhe të hiqen sanksionet ndaj Iranit”, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara.
Negociatat ndërmjet Iranit dhe pesë nënshkruesve të marrëveshjes – Britanisë, Francës, Gjermanisë, Kinës dhe Rusisë – nisën në Vjenë në muajin prill, ndërkaq përfaqësuesit e SHBA-së përfshihen në këto bisedime në mënyrë indirekte.