Ndërlidhjet

logo-print
Partitë opozitare do t’i kërkojnë kryeministrit Hashim Thaçi më shumë transparencë në lidhje me krijimin e fondit zhvillimor për komunat veriore të Kosovës.

Ky fond, paraqet një nga produktet e dialogut Kosovë – Serbi në nivel të kryeministrave që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Krijimi i fondit është paraparë si një mundësi që të ketë një transparencë në lidhje me mjetet që derdhën për zhvillimin e komunave veriore të banuara me shumicë serbe, të cilat funksionojnë paralelisht dhe jashtë sistemit juridik e kushtetues të Kosovës dhe mbi bazën e ligjeve të Serbisë.

Opozita në Prishtinë është unike vetëm në lidhje me kërkesën për transparencë rreth fondit, por jo edhe për efektet politike të tij.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk shohin elemente që ky fond po i hap rrugën autonomisë për veriun, përderisa Lëvizja Vetëvendosje beson se me buxhetin e ndarë, veriu po shkon drejt statusit autonom.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri i tha Radios Evropa e Lirë se në seancën e kësaj të enjte kur edhe do të diskutohet për dialogun Kosovë – Serbi, LDK do të kërkojë që kryeministri dhe qeveria të jenë sa më transparente në lidhje me dialogun dhe marrëveshjet që po arrihen me Serbinë.

Krijimi i një fondi të tillë në asnjë mënyrë nuk duhet të rrezikoj, nëse mund të themi ashtu, sovranitetin dhe tërësinë e vendit. Po ashtu, ky proces nuk guxon të shkoj drejt një zhvillimi që do të ishte në kundërshtim me aktin më të lartë kushtetues. Pra ne do të kërkojmë informacione dhe konform atyre që do t’i marrim si përgjigje, do ta themi mendimin tonë në Kuvend”, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje gjatë një konference për gazetarë vlerësoi se marrëveshja për Fondin e zhvillimit të veriut paraqet hapin drejt autonomisë së kësaj pjese të banuar me shumicë serbe.

Fondi zhvillimor, sipas Vetëvendosje, paraqet fond ndarës pasi që po e ndanë buxhetin e Kosovës.

Shpend Ahmeti, nënkryetar i Vetëvendosjes tha se përveç ndarjes funksionale ky fond promovon edhe ndarjen territoriale të Kosovës.

Fondi me motiv etnik dhe i territorializuar shpalos pikëpamjen dhe planin për një entitet autonom. Financat e ndara janë baza e autonomisë. Nuk bëhet fjalë pra, për decentralizim të financave, por ndarje të financave. Këtu grupe jashtëkushtetuese, dhe joformale fitojnë fuqi ekskluzive për një pjesë të të hyrave, ndërsa i merren fuqi kushtetuese kuvendit. Kur vendoset themeli i autonomisë, muret janë vetëm çështje kohe. Autonomia brina nuk ka”, ka thënë Ahmeti.

Në anën tjetër, deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani i ka thënë Radios Evropa e Lirë se do të kërkohet fillimisht transparencë nga qeveria si në lidhje me fondin, ashtu edhe për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Por, Ramadani nuk mendon se krijimi i këtij fondi ka cenuar karakterin unitar të buxhetit të Kosovës.

Ky lloj arnazhmani i përkohshëm është në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. E ruan veriun e Kosovës, e ruan mundësinë dhe fuqizon mundësinë e integrimit të serbëve të veriut të Kosovës në sistemin politik të Kosovës dhe si i tillë nuk paraqet rrezik për formën unitare që e ka shteti i Kosovës”, tha Ramadani.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka prezantuar marrëveshjen e fundit në Bruksel si një të arritur.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri pati deklaruar se fondi është i përkohshëm dhe se ai do të mbushet nga të hyrat doganore në portat kufitare një dhe 31 në veri dhe se ato mjete do të derdhen në buxhetin e Kosovës.

Më pas, një komision i përbashkët i qeverisë, serbëve lokal dhe përfaqësuesi i BE-së do të menaxhojnë këtë fond, ka thënë Tahiri, duke nënvizuar se mjetet do të përdoren vetëm për projekte zhvillimore të komunave në veri të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG