Një koleksion i rrallë i fotografive me ngjyra të bëra nga një grua evropiane, që kishte udhëtuar nëpër Iran, në kohën kur modernizimi dhe trazirat politike e ndryshuan përgjithmonë këtë shtet.
Këto janë disa prej mijëra fotografive me ngjyra të Iranit, që shumica janë shkrepur në vitet 1950 nga Baronesha Marie-Therese Ullens de Schooten. Fotografitë tani mbahen nga Muzeu Semitik i Harvardit.
Ullens u lind më 1905. Prindërit e saj ishin me prejardhje belge dhe austriake. Ajo udhëtoi shumë pasi u martua me një diplomat belg më 1926.
Pak kohë pasi burri i saj vdiq nga një sulm në zemër më 1950, Ullens u kthye në Iran, ku kishte lidhje të ngushta personale, për të bërë udhëtimin e parë në mbarë vendin. Më pas, këto udhëtime u bën vjetore. Në disa prej tyre, Baronesha mori me vete vajzën e saj, Astrid.
Në një intervistë dhënë përmes telefonit nga shtëpia e saj në Belgjikë, Astrid Ullens i tha Radios Evropa e Lirë se nëna e saj vendosi që të fotografonte aventurat e saj në mbarë Iranin sepse ajo e kuptoi se vendi “po ndryshonte aq shpejt, saqë ajo duhej ta filmonte”.
Kur Astrid po udhëtonte në mbarë Iranin së bashku me nënën e saj, nuk kishte autostrada që lidhnin qytetet me distancë të madhe.
“Ishte e komplikuar që të vozisësh”, tha Astrid. “Kishte shumë pluhur dhe nuk mund të shihnit shumë nëse ishit pas ndonjë kamioni, prandaj ishte çështje fati nëse nuk askidentoheshit”.
Astrid tha se nëna e saj ishte një grua jashtëzakonisht inteligjente, e cila “kurrë nuk frikësohej. Ajo shkonte kudo vetë, edhe natën – vetëm pse ishte kureshtare të takonte njerëz të rinj dhe t’i kuptonte ata”.
Më 1953, teksa kryeqyteti iranian, Teherani u përfshi nga trazirat pas grusht-shtetit të organizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, që rrëzoi nga pushteti kryeministrin e vendit, Ullens u nis drejt zonave të izoluara fisnore të Iranit.
Ullens thuhet se u bë personi i parë i huaj që mori leje për të fotografuar pjesëtarët e fisit Qashqai.
Qashqai përbëhet prej një sërë fisesh, kryesisht nomade, në Iranin jugor dhe qendror, që flasin gjuhën e tyre turke. Besohet se pjesëtarët e këtij fisi kanë migruar nga Azia Qendrore rreth 1,000 vjet më parë.
Ullens kryesisht ka përdorur aparat fotografik Lecia për punën e saj. Filmi i shtrenjtë dhe me ngjyra Kodachrome me të cilin ajo fotografoi, iu dha nga kontaktet diplomatike.
Fotografi dhe artisti italian, Federico Clavarino po punon në një libër për baroneshën dhe fotografitë e saj historike. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se u magjeps nga puna e saj, kryesisht për shkak të qasjes së jashtëzakonshme që ajo kishte në kulturën iraniane të asaj kohe.
“Ka ndoshta pak imazhe të tjera të shkrepura në këtë kohë dhe në këtë mënyrë – me ngjyra”, tha Clavarino, duke shtuar se Baronesha “kishte qasje në vende që nuk arriheshin lehtësisht nga evropianët e tjerë”.
Clavarino e cilëson si “mahnitës” faktin që Ullens ishte në gjendje të prodhonte imazhe të tilla pa folur persisht apo gjuhë të tjera iraniane.
Udhëtimin e fundit në Iran Ullens e bëri më 1977, dhe e përshkroi shtetin si “të prishur tmerrësisht në kërkim të një modernizimit të menjëhershëm e të kobshëm”.
Astrid Ullens tha se kujtimi më i preferuar për nënën e saj është nga ditëlindja e saj e 80-të. Pasi ndihej keq, Baronesha e moshuar kishte vendosur që mos ta festonte ditëlindjen, por Astrid organizoi fshehurazi një ndejë me afro 150 persona. Pasi u befasua nga të ftuarit, Baronesha kërkoi që ta dinte se “kush e organizoi këtë marrëzi”.
Kur e kuptoi se Astrid kishte organizuar festën, ajo i tha vajzës së saj se “mund të më kishe vrarë”. Astrid i ishte përgjigjur, “e di, por të paktën do të kishe vdekur e lumtur”.
Ullens vdiq më 1989. Dy vjet më vonë, i gjithë koleksioni i fotografive, filmave dhe audio-incizimeve të saj iu dorëzuan Muzeut Semitik të Harvardit. Më shumë se 4,000 imazhe të bëra nga ajo mund të shihen sot në faqen e internetit të Bibliotekës së Harvardit.