Ndërlidhjet

Franca, vendi i parë në botë që e bën abortin të drejtë kushtetuese


Disa gra duke marrë pjesë në një marsh, si shenjë përkrahjeje për të drejtën për abort. Shtator, 2023.
Disa gra duke marrë pjesë në një marsh, si shenjë përkrahjeje për të drejtën për abort. Shtator, 2023.

AFP

Franca e ka futur të drejtën e abortit në Kushtetutën e vet të hënën, duke u bërë vendi i parë në botë që e mbron qartë të drejtën për t’i dhënë fund një shtatzënie.

Ky vendim është mirëpritur nga grupet për të drejtat e grave dhe u cilësua si historik, ndërsa u kritikua ashpër nga grupet kundër abortit.

Deputetët dhe senatorët e mbështetën bujshëm projektligjin për mishërimin e të drejtës së grave për abort në Kushtetutën e vendit, me 780 vota për dhe 72 kundër, gjatë një votimi të përbashkët të dy dhomave të Parlamentit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ishte zotuar vitin e kaluar se do ta përfshinte të drejtën e abortit – hap ligjor në Francë prej vitit 1974 – në Kushtetutë, pasi Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e pati përmbysur më 2022 ligjin që e mundëson këtë procedurë.

Aktualisht është në dorën e secilit shtet në SHBA që të vendosë për ndalim apo lejim të procedurës.

Dhoma e ulët e Parlamentit të Francës e miratoi me shumicë vendimin që e bën abortin “liri të garantuar” në Kushtetutë.

Përmes një votimi historik më 28 shkurt, më shumë se 80 për qind e votuesve në Senatin e dominuar prej konservatorëve ia kanë dhënë dritën e gjelbër projektligjit.

Tani dokumenti e kaloi edhe fazën e fundit këtë të hënë, pasi shumica dërrmuese e deputetëve votuan për miratimin e tij.

Vendimi i parë ndonjëherë i tillë

Para votimit, Leah Hoctor, prej Qendrës për të drejta të riprodhimit, tha se votimi do të ishte historik.

“Nëse liria për të vendosur për të pasur abort përfshihet në Kushtetutën e Francës, kjo do të jetë dispozita e parë e tillë kaq e qartë ligjore në Evropë dhe në botë”, tha ajo para votimit.

Kili e ka përfshirë të drejtën për abort në një draft më 2022, mirëpo votuesit në referendum nuk kanë votuar për miratim të tij.

Disa shtete aludojnë se e gëzojnë këtë të drejtë.

Kushtetuta e Kubës u garanton grave “të drejtat seksuale dhe ato të riprodhimit”.

Edhe disa shtete të Ballkanit kanë trashëguar versione të Kushtetutës së ish-Jugosllavisë që përcaktonte se është e drejtë e njeriut për të vendosur “për lindjen e një fëmije”.

Shtetet tjera e përmendin abortin në Kushtetutë, mirëpo e lejojnë vetëm në situatë të caktuara”, ka thënë Hoctor.

Në Kenia, shembull, Kushtetuta thotë që “aborti nuk është i lejuar përveç nëse profesionistët e trajnuar shëndetësorë vlerësojnë se ekziston nevojë urgjente për trajtim, ose nëse shëndeti i nënës është në rrezik, ose nëse lejohet me ndonjë ligj tjetër”.

Vendim historik?

Aborti është legalizuar në Francë më 1974 përmes një ligji të shtyrë përpara prej Simone Veilit, atëbotë ministre e Shëndetësisë, një grua ikonë për të drejta të grave.

Ajo ka vdekur më 2018.

Simone Veil më 1974 në Paris.
Simone Veil më 1974 në Paris.

Pjesa më e madhe e popullit francez e përkrah vendimin për të siguruar një mbrojtje shtesë për këtë drejtë.

Një sondazh i kryer prej kompanisë franceze IFOP, në nëntor të vitit 2022, ka gjetur se 86 për qind e popullit francez e përkrah idenë e përfshirjes së ligjit në Kushtetutë.

Politikanët e krahut të majtë dhe ata të qendrës e kanë mirëpritur reformën, derisa senatorët e krahut të djathtë kanë thënë privatisht se ndihen nën presion për ta miratuar atë.

Një deputete ka thënë se vajzat e saj nuk do ta vizitonin më kurrë për Krishtlindje, nëse ajo nuk do të votonte për projektligjin.

Macron e kishte cilësuar votimin e 28 shkurtit në Senat si “hap vendimtar” dhe menjëherë kishte thirrur mbledhjen e Kongresit parlamentar – një grup deputetësh prej dy dhomave të Parlamentit - për të hënën.

Herën e fundit kur është bërë thirrje për ndryshim të Kushtetutës ka qenë viti 2008, kur deputetët i kanë miratuar disa reforma nën presidencën e Nicolas Sarkozyt.

Në mesin e atyre ndryshimeve ka qenë kufizimi i mandateve presidenciale në dy të​ tillë, si dhe mbrojtja dhe pavarësia më e madhe për mediat.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG