Ndërlidhjet

Shkup: Polemika për zgjerimin e listës së zezë amerikane


Foto kolazh: Kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, dhe ish-prokurorja Katica Janeva.
Foto kolazh: Kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, dhe ish-prokurorja Katica Janeva.

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Stevçe Jakimovski, që është edhe kryetar i komunës së Karposhit në Shkup, e ka quajtur “veprim të pandershëm” përfshirjen e tij në listën e zezë amerikane.

Ai dhe ish-prokurorja speciale, Katica Janeva, janë emrat më të rinj nga Maqedonia e Veriut, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i vendosën në listën e zezë, njoftoi të hënën Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

Në arsyetimin e vendimit të DASH-it thuhet se "veprimet e tyre kanë minuar sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike”.

“Jakimovski ishte i përfshirë në veprime korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar për vete dhe bashkëpunëtorët e tij”, ka thënë Departamenti i Shtetit.

Por, për Jakimovskin, ky vendim “ka për qëllim largimin e tij nga gara presidenciale të favor të ndonjë kandidati tjetër që “nuk qëndron mirë” në hulumtimet e opinionit publik, duke aluduar në presidentin aktual, Stevo Pendaroski, i nominuar edhe për një mandat në zgjedhjet që do të mbahen më 24 prill.

“Si mund ta kuptojmë ndryshe këtë akt të dhunës, përveç ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor në Republikën e Maqedonisë [së Veriut], që është vepër e dënueshme, penale dhe ndërhyrje e shërbimeve të huaja inteligjente në zgjedhjen e presidentit të Republikës së Maqedonisë. E them publikisht se do të bëj kallëzim penal kundër një personi të panjohur pasi duhet të përcaktohet se kush nga këtu, e ka bërë këtë gjë të pandershme”, tha Jakimovski.

Ai, madje, në reagimin e tij para mediave e krahasoi veten me Donald Trumpin, ish-presidentin amerikan dhe kandidat i republikanëve për president.

Pavarësisht kësaj, Jakimovski tha se “as që i shkon në mendje të tërhiqet nga gara për president shteti”.

Sa i përket ish-prokurores speciale, Katica Janeva, DASH-i tha se ka informacione të besueshme se ajo ka kërkuar dhe marrë ryshfet për të ndikuar në prokurorinë që ishte nën juridiksionin e saj.

Ish-prokurorja speciale, Katica Janeva, është duke vuajtur dënimin me 7 vjet burgim për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” në rastin e njohur si “Reket”.

Partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE, tha se dy personat e përfshirë në listën e zezë amerikane janë të përfshirë thellë në krim dhe korrupsion si partnerë të partive në pushtet, Lidhjes Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

“Partneri joformal i LSDM-së, Stevço Jakimovski, ka shkaktuar konflikte politike vetëm për të shpëtuar nga rastet gjyqësore që i janë hapur. Ai në fund shpëtoi nga proceset gjyqësore, por jo edhe nga lista e zezë amerikane. Këta dy persona janë të përfshirë në nivelin e lartë të korrupsionit në Maqedoni. Nuk ka dyshim se LSDM-ja së bashku me BDI-në janë fabrikë për krimin, korrupsionin dhe prodhimin e manipulimeve”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.

Në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara në periudhën e kaluar ishin futur disa ish-zyrtarë dhe biznesmenë të njohur.

Në qershor të vitit 2023 në listës së zezë iu shtua edhe kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, ndërsa në dhjetor ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev.
Kryetari i Strugës, që është edhe anëtar i BDI-së, ishte akuzuar për shpërdorim të fondeve dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore dhe të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut në institucionet dhe zyrtarët demokratikë të Maqedonisë së Veriut, sipas DASH-it.

Pas këtij vendimi, BDI-ja kishte njoftuar pezullimin e aktiviteteve të Merkos, por ai ka vazhduar të jetë i pranishëm në të gjitha aktivitetet partiake sikur edhe në komunën e Strugës.

“Ne nuk i kontestojmë vendimet e DASH-it dhe do të pranojmë çdo vlerësim të tij. SHBA-ja për ne është partneri strategjik, ashtu siç është edhe Bashkimi Evropian”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i pyetur të komentonte listën e zezë amerikane.

Maqedonia e Veriut ka paralajmëruar miratimin e ligjit për ndjekjen penale të personave që janë në listën e zezë amerikane dhe atë britanike, por ai ndodhet akoma në procedurë parlamentare.

Ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski kishte paralajmëruar miratimin e tij para shpërbërjes së legjislativit, përkatësisht para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare, më 8 maj.


Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler, ka thënë se SHBA-ja nuk i komenton zgjidhjet ligjore, por do që të shohë rezultate konkrete për sa i përket luftës kundër korrupsionit në nivele të larta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG