Ndërlidhjet

Ministrja Haxhiu me disa propozime për luftimin e dhunës në familje pas një takimi urgjent


Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka kritikuar të martën prokurorët dhe gjykatësit se kanë dështuar në parandalimin e rritjes së rasteve të dhunës, duke thënë se “shteti po i shndërron dhunuesit në vrasës”, pas vrasjes së dy grave së fundmi në vend.

"Kur ka dyshime për dhunë në familje, të mos ketë lëshim në procedurë të rregullt, sepse shteti dhunuesin po e shndërron në vrasës", tha Haxhiu.

Haxhiu tha në një konferencë për media në Prishtinë, pas një takimi me ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, se janë bërë disa propozime për ta luftuar dhunën në familje.

Mëngjesin e së martës u vra një grua në Pejë nga një person që dyshohet se është bashkëshorti i saj. Më 12 prill u vra një grua 21-vjeçare brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në qytetin juglindor të vendit, Ferizaj, ndërsa ish-bashkëshorti i saj u arrestua si dorasi i dyshuar.

Ajo kërkoi që të lëshohet udhëzues detyrues nga Kryeprokurori i Shtetit për të gjithë prokurorët që i trajtojnë rastet e dhunës në familje “që kur ka dyshime për dhunë në familje, të mos ketë lëshim në procedurë të rregullt”.

“Kur dhunuesi e sheh që po ledhatohet nga sistemi, ai e përsërit veprën penale”, shtoi ajo.

Haxhiu tha se “në asnjë rast të dhunës në familje nuk është shqiptuar dënimi maksimal” që parashihet në nenin 248 të Kodit Penal.

“Kemi shumë raste kur dënimet janë nën minimumin e asaj që parasheh Kodi Penal. Është me rëndësi të vendosen para përgjegjësisë disiplinore të gjithë gjyqtarët që nuk e kanë respektuar drejt ligjin”, tha Haxhiu në një konferencë për media në Prishtinë.

Ajo theksoi se gjatë takimit me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe zyrtarët e tjerë të lartë u bënë disa propozime për luftimin e dhunës në familje.

“Urgjentisht të bëhet nënshkrimi i kontratës për mbikëqyrjen elektronike. Të bëhet vlerësim i saktë e rrezikshmërisë në secilin rast. Të ashpërsohen dënimet për armëmbajtje pa leje.

Kosova ka ligjin për mbikëqyrje elektronike, sipas të cilit, gjykata vendos për mbikëqyrje elektronike të dikujt me kërkesën e prokurorit, personit, mbrojtësit të tij, prindërve, apo kujdestarit të personit të mitur.

Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar se deri në fund të vitit 2023 do të nisë aplikimin e mbikëqyrjes elektronike të të dyshuarve ose të akuzuarve për vepra penale.

Megjithatë, ende mungojnë pajisje si byzylykë dhe pajisje të tjera të nevojshme për zbatimin e këtij ligji.

Haxhiu tha se në takim u kërkua që Prokuroria të hapë "urgjentisht" pozita për mbrojtës të viktimave, pasi janë vetëm 22 mbrojtës të viktimave në gjithë Kosovën.

“Ky është numër shumë i vogël në raport me 200 raste në muaj të dhunës në familje që raportohen në gjithë vendin”, shtoi ajo.

Nga viti 2010 në Kosovë janë vrarë 57 gra, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG