Ndërlidhjet

Ndryshimet kushtetuese mbajnë peng skenën politike


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, që janë kusht për hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim në BE, do të zhvillohen paralelisht me procesin e skriningut, apo të harmonizimit të ligjeve vendore me ato të BE-së.

Kështu thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duke komentuar kërkesat e opozitës për nisjen e procedurave për ndryshimin e Kushtetutës.

E zëshme në këtë kërkesë është partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila shprehet e bindur se shumica parlamentare nuk i ka dy të tretat e votave për ndryshimin e aktit më të lartë juridik.

Ndryshimet e Kushtetutës, me të cilat pakica bullgare në Maqedoninë e Veriut do të njihej si popull shtetformues, janë pjesë e dokumentit të njohur si “propozimi francez”.

Ky propozim i ka hapur rrugë fillimit formal të negociatave të anëtarësimit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, në muajin korrik.

Megjithatë, ai është kundërshtuar nga opozita maqedonase, e cila ka thënë se minon shtetin maqedonas, dhe ka shkaktuar protesta e tensione.

Nga Qeveria në Shkup nuk japin ndonjë datë të saktë se kur mund të nisë procesi për ndryshimin e Kushtetutës, por kujtojnë se procesi i skriningut duhet të përfundojë deri në nëntor të vitit të ardhshëm.

Sonja Llukarevska, zëvendëskryetare e partisë në pushtet - Lidhjes Social-Demokrate (LSDM) - thotë se pret që shumica parlamentare t’i ketë votat e mjaftueshme për ndryshime kushtetuese.

“Unë konsideroj se në këtë shumicë parlamentare ka shumë forca progresive që duan të ecin përpara, prandaj jam optimiste se amendamentet kushtetuese mund të kalojnë. Unë pres që secili që mendon për perspektivën evropiane të vendit tonë, që i mendon të mirën këtij shteti, do të votonte për ndryshimet kushtetuese”, thotë Llukarevska.

VMRO DPMNE-ja ka thënë se nëse Qeveria është e bindur se i ka numrat në Kuvend, ajo duhet të ndërmarrë nismën për ndryshime kushtetuese.

“... nëse nuk kalojnë, atëherë Qeveria duhet ta pranojë propozimin [e opozitës] për zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse Qeveria është e delegjitimuar dhe, në asnjë mënyrë, ky koalicion i LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) nuk mund të mbetet në pushtet”, ka deklaruar nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.

Partitë shqiptare nuk i kanë komentuar polemikat mes partive maqedonase, por në prononcimet e deritanishme - si ato në pushtet, ashtu edhe ato në opozitë - kanë thënë se i mbështesin ndryshimet kushtetuese, “për t’i hapur rrugë perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut”.

Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat e votave, apo me votat për të 80 prej 120 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Me votat e deputetëve të opozitës shqiptare, numri i mbështetësve të ndryshimeve kushtetuese arrin në 74, që do të thotë se shumicës i nevojiten edhe 6 vota të deputetëve të VMRO DPMNE-së.

Aleksandar Kërzhallovski, njohës i çështjeve politike, thotë se pushteti nuk është i interesuar në inicimin e ndryshimeve kushtetuese në këtë fazë.

“Sa i përket pushtetit... gjithsesi se nuk i konvenon të ketë zgjedhje të parakohshme, për shkak të pakënaqësisë në rritje me krizën e rëndë [ekonomike] që ka përfshirë vendin. Kësaj, kur t’i shtohen edhe pakënaqësitë e mëparshme [me propozimin francez], atëherë rezultati nuk do të ishte në favor të pushtetit aktual”, thotë Kërzhallovski.

Në një prononcim javën e kaluar, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se “është shumë e vështirë të arrihet shumica e dy të tretave për ndryshimet kushtetuese në këtë përbërje parlamentare”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG