Talini ka vendosur për largimin e menjëhershëm të monumenteve sovjetike nga hapësirat publike nëpër Estoni. T’i vështrojmë disa prej memorialeve dhe statujave të kohës komuniste në vendin baltik.
Kjo statujë është një prej mbi 200 monumenteve të kohës sovjetike në Estoni, që mund të shqyrtohen për largim. Në fillim të gushtit, kryeministri estonez, Kaja Kallas, ka njoftuar në një konferencë për media se “monumentet sovjetike duhet të largohen nga hapësirat publike, dhe ne do ta bëjmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Kallas ka përmendur pushtimin rus të Ukrainës si hapje “të plagëve në shoqërinë tonë, të cilat na i kujtojnë këto monumente komuniste”.
Për shumë estonezë, monumentet janë simbole të mbetura të një dominimi dhe shtypjeje gjysmëshekullore nga Moska. Më shumë se 75.000 estonezë janë vrarë, janë burgosur apo janë dëbuar nga sovjetikët ndërmjet viteve 1940 dhe 1991, sipas qeverisë së Estonisë.
Bashkimi Sovjetik ka okupuar shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë më 1940, dhe i ka sunduar ato nga viti 1944, pasi forcat pushtuese naziste u tërhoqën, derisa ato e rifituan pavarësinë pas kolapsit sovjetik të vitit 1991. Shtetet e Bashkuara dhe disa qeveri të tjera perëndimore kurrë nuk i kanë njohur ato si republika sovjetike.
Qeveria e Rusisë e ka kritikuar vendimin për heqjen e monumenteve, disa prej të cilave përmbajnë mbetjet fizike të ushtarëve sovjetikë që kanë vdekur duke luftuar kundër forcave naziste.
Zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitry Peskov, ka thënë më 5 gusht se “eliminimi i monumenteve kushtuar atyre që e kanë shpëtuar Evropën nga fashizmi është fyes, sigurisht. Ai nuk i bën nder asnjë vendi, përfshirë Estoninë”.
Shkalla e plotë e planit të Estonisë mbetet e paqartë, ndonëse memorialet që ndodhen në varreza me sa duket nuk do të preken, ndërsa monumentet e tjera thjesht mund të zhvendosen, siç është vepruar në të kaluarën.
Kallas ka thënë se kujtimi i të vdekurve “nuk do të ndalohet, por ai duhet të bëhet në vendin e duhur, që është një varrezë, ku ai mund të bëhet me dinjitet”.
Në prillin e vitit 2007, ky ushtar prej bronzi është zhvendosur nga qendra e Talinit në lokacionin e tij aktual, në një varrezë në kryeqendrën estoneze. Zhvendosja, e cila ka përfshirë zhvarrosjen e mbetjeve mortore të ushtarëve sovjetikë, pati nxitur trazira në kryeqytet, gjatë të cilave një burrë rus ishte therur për vdekje.
Më 16 gusht, autoritetet lokale në Narva, një qytet kufitar ku rusët përbëjnë shumicën e madhe, filluan të heqin këtë kopje të tankut T-34 nga piedestali i saj. Pasi një turmë u mblodh përreth monumentit në fillim të gushtit, për të protestuar kundër zhdukjes së planifikuar të tij, zyrtarët pohuan se nuk do ta hiqnin tankun “në mes të natës”.
Tanku do të zhvendoset në një muze të luftës në Vimsi, në veri të kryeqytetit.
“Vendimi i sotëm ndihmon që vëmendja të vazhdojë mbi detyrat tona më të rëndësishme: të garantohet siguria e Estonisë dhe të ndihmohet e gjithë popullata e Estonisë që t’i përballojë krizat e shkaktuara nga lufta në Ukrainë”, është cituar të ketë thënë Kallas
Më 12 gusht, Estonia dëboi dy gazetarë rusë, që gjoja po raportonin për heqjen e planifikuar të monumenteve sovjetike. Policia kufitare estoneze pohoi se dyshja “ka ardhur në Estoni për të bërë punë propagandistike, në kundërshtim me parimet e regjimit të vizave”.