Ndërlidhjet

Ndalohet një serb në veri për “shkelje të rendit kushtetues”


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Policia e Kosovës e ka ndaluar të shtunën Sreqko Sofronijeviqin në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak për pjesëmarrje në protestat e vitit 2021, të organizuara për shkak të zbatimit të një aksioni kundër kontrabandës me mallra.

Si pasojë e rritjes së tensioneve protestuesit janë përleshur, atëbotë, me zyrtarët policorë, dhe patën mbetur dhjetëra persona të plagosur nga të dyja anët, përfshirë Sofronijeviqin.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Sreqko Sofronijeviq akuzohet për “shkelje të rendit kushtetues” dhe se ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka vlerësuar se “terrori ndaj serbëve nga regjimi në Prishtinë po vazhdon”.

“Në atë listë të arrestuar janë më shumë se 80 persona në lidhje me sulmin ndaj rendit kushtetues, disa prej të cilëve mjekë, biznesmenë, përfaqësues politikë të popullit serb, drejtorë të institucioneve dhe institucioneve publike”, është thënë në reagimin e Listës Serbe.

Kjo parti u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që "të reagojnë urgjentisht dhe të parandalojnë shtypjen e mëtejshme të serbëve".

Për arrestimin e Sofronijeviqit ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke thënë se ndalimi i tij përbën “represionin më të fundit nga Policia e Kosovës”.

XS
SM
MD
LG