Një vit pas inaugurimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ish-presidenti Jimmy Carter paralajmëron se SHBA-ja “po lëkundet buzë një humnere”, pasi demokracia “është nën kërcënim”.
Autorja Barbara Walter thotë se vendi “është afër një lufte civile - më shumë seç do të donte të besonte secili prej nesh”.
“Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Një ditë historie dhe shprese, ripërtëritjeje dhe vendosmërie… Dhe në këtë moment, miqtë e mi, demokracia ka fituar”, ka thënë Biden para një viti.
“Beteja për shpirtin e Amerikës nuk ka përfunduar”, ka thënë ai më 6 janar, në përvjetorin e parë të trazirave në Kongres.
Më 6 janar të vitit 2021, mbështetësit republikanë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, kanë hyrë dhunshëm në ndërtesën e Kongresit amerikan, në përpjekje për të penguar konfirmimin e rezultateve të zgjedhjeve, që fitues kanë nxjerrë demokratin Biden.
SHBA-ja është thellësisht e ndarë politikisht, ndërsa lufton edhe me sfida të tjera: nga pandemia e koronavirusit deri tek ato ndërkombëtare.
Në korrik të vitit të kaluar, gjatë fushatës së republikanëve për të ndryshuar legjislacionin zgjedhor në shtetet ku kanë shumicën, Biden ka thënë:
“Po përballemi me testin më të rëndësishëm të demokracisë sonë që nga Lufta Civile (1861-1865)”.
“Këto nuk janë kërcënime boshe”, ka thënë senatorja demokrate, Amy Klobuchar.
“Janë përpjekje reale për t’iu hequr të drejtën e votës amerikanëve të rëndomtë - të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara, njerëzve që nuk mund të qëndrojnë në radhë dhjetë orë për të votuar”, ka thënë ajo.
Shtetet e udhëhequra nga republikanët kanë vendosur kufizime në votimet me postë dhe verifikimin e votuesve që nga zgjedhjet e vitit 2020. Udhëheqësit e tyre pretendojnë se në këto zgjedhje janë bërë mashtrime, edhe pse nuk ka prova konkrete për to.
Sipas ish-guvernatorit të Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger, politikanët “i vizatojnë kufijtë e distrikteve, në mënyrë që të mund t’i zgjedhin votuesit, në vend se votuesit t’i zgjedhin politikanët”.
Kongresistja republikane, Marjorie Taylor Greene, ka thënë se “demokratët nuk brengosen për atë që thonë republikanët”.
“Atyre nuk u intereson se çfarë thonë elektoratet dhe votuesit tanë. Ata kujdesen vetëm për shtyrjen përpara të agjendës së tyre socialiste. Ata, thjesht, kujdesen për të na hequr lirinë”, ka thënë ajo.
Administrata Biden po përpiqet t’i shfuqizojë kufizimet e vendosura në të paktën 19 shtete, por nuk ka mbështetje në Senat.
Ndërkohë, besnikët e Trumpit po i zëvendësojnë edhe zyrtarët profesionistë të zgjedhjeve, të cilët gjithashtu kërcënohen.
“Stafi ka nisur të marrë thirrje të ndryshme, që thonë se bandat e motoçikletave janë në rrugë për t’i vrarë të gjithë. Ka pasur shumë fyerje raciste. Stafi im është ndoshta 99 për qind afrikano-amerikan”, ka thënë drejtori i Komisionit Zgjedhor në Fulton të Xhorxhias, Richard Baron.
Disa hulumtime vlerësojnë se Shtetet e Bashkuara janë shndërruar në një “anokraci” – “diçka midis demokracisë dhe autokracisë”.
“Ne përballemi me një rrezik serioz që demokracia amerikane - siç e njohim ne - të përfundojë në vitin 2024”, ka thënë Richard Hassen, ekspert për legjislacionin dhe ligjin zgjedhor në SHBA.
Ekspertët thonë se kryengritja kundër demokracisë amerikane, që ka nisur më 6 janar, 2021, ka vazhduar me ndryshimet e përmendura në ligjet zgjedhore, andaj shumë pyeten nëse skenat e pakëndshme të vitit të kaluar, kanë qenë vetëm një provë për ngjarjen kryesore: zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, në të cilat Trump mund të kandidojë përsëri.
“Nëse rezultatet e zgjedhjeve janë shumë ngushtë, ka shqetësime nëse kandidati humbës do ta pranojë legjitimitetin e procesit”, thotë Rick Pildis, profesor i Shkollës Juridike të Nju Jorkut.
Sipas një sondazhi të Institutit për Hulumtime Publike të Religjionit, “më shumë se 70 për qind e republikanëve ende besojnë se Trump është vjedhur në zgjedhjet e vitit 2020”, ndërsa pothuajse një e treta e republikanëve pajtohen se “patriotët e vërtetë amerikanë ndoshta do të duhet të përdorin dhunën për të shpëtuar vendin”.
Ku qëndron Biden?
Kur Biden ka marrë detyrën si presidenti i 46-të i SHBA-së, më 20 janar të vitit 2021, ai ka thënë se fitorja e tij “nuk është triumf i një kandidati, por i një kauze - kauze të demokracisë”.
Duke folur vetëm disa ditë pas trazirave në Kongres, ai është zotuar se do ta rikthejë unitetin dhe do të bëjë “gjëra të mëdha”.
“Ne mund t’i korrigjojmë gabimet. Ne mund t’i vendosim njerëzit në punë të mira. Ne mund t’i dërgojmë fëmijët tanë në shkolla të sigurta. Ne mund ta kapërcejmë këtë virus vdekjeprurës”, ka thënë ai.
Pavarësisht një gare të ashpër presidenciale, Biden e ka nisur mandatin me 56% për qind mbështetje nga amerikanët, ka treguar një sondazh nga organizata RealClearPolitics.
Ai po ashtu ka fituar mbi 80 milionë vota - më shumë se çdo president tjetër.
Por, vlerësimet për të kanë marrë teposhtën kur ka nisur tërheqjen masive të trupave amerikane nga Afganistani, në verë.
Në atë kohë edhe varianti Delta i koronavirusit ka marrë hov në SHBA.
Që atëherë, mbështetja për të është në rënie - aktualisht rreth 42 për qind.
Krahasuar me presidentët e tjerë të fundit, vetëm Donald Trump ka pasur një vit të parë më zhgënjyes. Sipas sondazhit të Gallupit, vlerësimi për të ka rënë nga 45% në ditën e inaugurimit në 35% një vit më vonë.
Barack Obama ka filluar me gati 70% mbështetje dhe ka përfunduar në afër 50% një vit më vonë.
George W. Bush ka filluar mandatin e tij të parë në një pozicion të ngjashëm me Bidenin - me mbështetje rreth 60%, porse ajo është rritur në gati 90% pas sulmeve të 11 shtatorit, 2001.
Facebook Forum