Ndërlidhjet

Pse është kundërthënës plani i Japonisë për të shitur armë vdekjeprurëse?


Ministri britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, (djathtas) ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, (majtas) dhe ministri japonez i Mbrojtjes, Minoru Kihara (në mes), marrin pjesë në një konferencë të programit Global Combat Air Programme (GCAP), 14 dhjetor 2023, Tokio.
Ministri britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, (djathtas) ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, (majtas) dhe ministri japonez i Mbrojtjes, Minoru Kihara (në mes), marrin pjesë në një konferencë të programit Global Combat Air Programme (GCAP), 14 dhjetor 2023, Tokio.

Associated Press

Qeveria e Japonisë e miratoi të martën një plan për t’i shitur në të ardhmen avionë luftarakë të gjeneratës së ardhshme vendeve të tjera. Ky është hapi më i ri drejt largimit nga parimet pacifiste të cilat ajo i kishte miratuar në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Vendimi kundërthënës për ta lejuar shitjen e armatimit jashtë vendit pritet ta ndihmojë Japoninë ta sigurojë një rol në projektin njëvjeçar për të bashkëprodhuar avionë të ri luftarakë me Italinë dhe Britaninë e Madhe.

Megjithatë, ai është pjesë edhe e një synimi për ta zhvilluar industrinë e armëve të Japonisë dhe për ta forcuar rolin e saj në çështjet globale.

Tani për tani, Tokio thotë se nuk e ka ndër mend të eksportojë armatim vdekjeprurës që i bashkëprodhon, por vetëm avionë të rinj luftarakë, të cilët nuk pritet të hyjnë në shërbim deri në vitin 2035.

Më poshtë mund të lexoni se çfarë nënkupton ndryshimi i fundit dhe pse Japonia po i lehtëson me shpejtësi rregullat e eksportit të armëve.

Çfarë po ndryshon?

Të martën, kabineti e aprovoi rishikimin e udhëzuesve të vet për shitjen e pajisjeve të mbrojtjes jashtë vendit, dhe e autorizoi shitjen e avionëve luftarakë në të ardhmen. Qeveria thotë se nuk e ka ndër mend të shesë armë të tjera që i bashkëprodhon në bazë të këtyre udhëzuesve, dhe se për ta bërë një gjë të tillë do të nevojitet aprovimi i kabinetit.

Për kohë të gjatë, Japonia e ka ndaluar eksportimin e shumicës së armëve në përputhje me kushtetutën pacifiste, megjithëse ka filluar të ndërmarrë hapa drejt ndryshimit në një kohë të rritjes së tensioneve rajonale dhe globale.

Më 2014, ajo filloi të eksportojë disa armë ushtarake jovdekjeprurëse, dhe dhjetorin e kaluar, e aprovoi një ndryshim i cili do ta lejonte shitjen e 80 armëve vdekjeprurëse dhe komponentë të cilët i prodhon në bazë të licencave për vendet të cilat ia kanë dhënë licencat. Ky ndryshim, i cili u bë në dhjetor, i hapi rrugën Japonisë t’iu shesë Shteteve të Bashkuara raketa të dizajnuara për SHBA-në, të quajtura Patriot, duke i ndihmuar Uashingtonit ta zëvendësojë municionin të cilin po ia dërgon Ukrainës.

Vendimi për avionët luftarakë do t’ia mundësojë Japonisë të eksportojë për herë të parë në vende e tjera armë vdekjeprurëse të cilat i bashkëprodhon.

Çfarë është avioni i ri luftarak?

Japonia po punon me Italinë dhe Britaninë e Madhe për ta zhvilluar një avion luftarak të përparuar, për t'i zëvendësuar flotën e vjetruar të avionëve luftarakë të dizajnuar nga SHBA-ja, F-2, dhe avionëve luftarakë Typhoons, të përdorur nga ushtria britanike dhe ajo italiane.

Japonia, e cila në të kaluarën ka punuar në një dizajn të krijuar në shtëpi të quajtur F-X, u pajtua në dhjetor 2022 t’i bashkohet programit italiano-britanik të quajtur Tempest.

Projekti i përbashkët, i njohur si Global Combat Air Program (GCAP), është me bazë në Britani.

Ajo shpreson se avioni i ri do të jetë shumë më i përparuar në një kohë kur tensionet po rriten në rajonin e saj, për t’i dhënë përparësi teknologjike kundër rivalëve, Kinës dhe Rusisë.

Pse Japonia po e ndryshon qëndrimin në eksportin e armëve?

Në vendimin e tij, kabineti tha se ndalesa e eksportimit të produkteve të përfunduara do ta pengonte zhvillimin e avionit të ri luftarak, dhe do ta kufizonte Japoninë duke i lënë vetëm rol mbështetës në projekt. Italia dhe Britania e Madhe janë te etura të shesin avionë luftarakë, për ta mbështetur koston e zhvillimit dhe prodhimit.

Ministri i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Grant Shapps, ka thënë vazhdimisht se Japonia ka nevojë të “përditësohet” në mënyrë që të mos shkaktojë ngecje të projektit.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, kërkoi aprovimin e kapitenit para se ta nënshkruante marrëveshjen për GCAP në shkurt, por ajo u zvarrit për shkak të kundërshtimit nga partneri i tij në koalicion, partia e mbështetur nga budistët, Komeito.

Eksporti do të ndihmonte edhe në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes të Japonisë, e cila historikisht është kujdesur vetëm për forcat mbrojtëse të vendit, pasi Kishida synon ta përforcojë ushtrinë. Japonia filloi t’i hapë dyert për disa eksporte më 2014, por ka hasur në vështirësi të fitojë myshterinj.

Ndryshimi vjen po ashtu teksa Kishida po planifikon ta vizitojë Uashingtonin në prill, ku pritet ta theksojnë gatishmërinë e Japonisë për të ndërmarrë rol më të madh në partneritetin e industrisë së mbrojtjes dhe atë ushtarake.

Japonia e cilëson si kërcënim rritjen e shpejtë të ushtrisë së Kinës, dhe posaçërisht rritjen e tensioneve në detet e kontestuara lindore dhe jugore të Kinës. Japonia i sheh si kërcënim edhe ushtrimet e shpeshta të përbashkëta ushtarake mes Kinës dhe Rusisë përreth Japonisë.

Pse eksportet e armëve janë përçarëse?

Për shkak të së kaluarës së tyre si agresorë në kohë lufte dhe për shkak të shkatërrimit që u shkaktua pas humbjes së saj në Luftën e Dytë Botërore, Japonia e miratoi një kushtetutë e cila e bën ushtrinë e saj vetëm vetëmbrojtëse dhe për kohë të gjatë e ka ruajtur një politikë të rreptë për kufizimin e transferimit të pajisjeve ushtarake dhe teknologjike dhe e ndaloi eksportin e të gjitha armëve vdekjeprurëse.

Ligjvënësit opozitarë dhe aktivistët pacifistë e kanë kritikuar Qeverinë e Kishidës pse iu bashkua projektit për avionët luftarakë, pa dhënë ndonjë shpjegim publik, apo pa kërkuar miratimin për këtë ndryshim të madh politik.

Sondazhet e fundit tregojnë se populli japonez është i ndarë për këtë plan.

Për t’i adresuar këto shqetësime, Qeveria po e ndalon eksportin e armëve vdekjeprurëse të bashkëprodhuara tani për tani, dhe do të shesë vetëm avionë luftarakë. Ajo është zotuar gjithashtu se nuk do të shesë armë në luftëra aktive.

Çfarë pritet të ndodhë?

Tregjet e mundshme për shitjen e avionëve luftarakë përfshijnë 15 vende me të cilat Japonia ka marrëveshje partneriteti për mbrojtjen, si Shtetet e Bashkuara, Gjermania, India dhe Vietnami.

Një zyrtar i mbrojtjes tha se Tajvani – një ishull i vetëqeverisur për të cilin Kina pretendon se është territori i saj – nuk po konsiderohet.

Në bazë të udhëzimeve të reja për eksportin mund të shtohen armë dhe komponentë të rinj në listën e aprovimeve.

Përgatiti: Ekrem Idrizi
XS
SM
MD
LG