Ndërlidhjet

Ushtria izraelite: Irani lëshoi mbi 300 dronë e raketa


Policia izraelite duke inspektuar mbetjet e një rakete që hodhi Irani pranë Aradit në Izrael, 14 prill 2024.
Policia izraelite duke inspektuar mbetjet e një rakete që hodhi Irani pranë Aradit në Izrael, 14 prill 2024.

Më shumë se 300 dronë dhe raketa nga Irani dhe aleatët e tij në Irak dhe Jemen u lëshuan në drejtim të Izraelit, natën mes 13 dhe 14 prillit, tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite.

“Unë e di se rreth 360 municione të ndryshme, 170 dronë shpërthyes, 30 raketa lundruese, 120 raketa balistike etj., u hodhën drejt Izraelit”, tha nënkoloneli Peter Lerner për BBC-në.

“Shumica dërrmuese e tyre u shkatërruan”, shtoi ai.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur këto shifra.

Lerner tha se raketat lundruese dhe UAV-të - mjete ajrore pa pilot - “janë kapur përpara se të arrinin në hapësirën ajrore të Izraelit”.

Irani nisi sulme me dronë dhe raketa kundër Izraelit të shtunën vonë, në shenjë hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Siri, më 1 prill.

Irani e akuzoi Izraelin për kryerjen e këtij sulmi, por ky i fundit as nuk e konfirmoi, as nuk e mohoi.

Autoritetet në Iran thanë se operacioni kundër Izraelit “i ka arritur të gjitha synimet e veta” dhe paralajmëruan se do të përdorin edhe më shumë forcë nëse Izraeli përgjigjet në të njëjtën mënyrë.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se konfrontimi me Iranin “nuk ka përfunduar ende”.

Qeveritë perëndimore dhe të tjera bënë thirrje për përmbajtje.

XS
SM
MD
LG