Ndërlidhjet

Reagimet në botë për sulmin në zonën e Moskës


Forca të sigurisë pranë vendit ku ndodhi sulmi në zonën e Moskës, 22 mars 2024.
Forca të sigurisë pranë vendit ku ndodhi sulmi në zonën e Moskës, 22 mars 2024.

Së paku 60 njerëz u vranë dhe mbi 140 të tjerë u plagosën kur persona të armatosur hapën zjarr me armë automatike në një sallë koncertesh pranë Moskës, të premten mbrëma.

Shteti Islamik - grup militant që dikur kishte kontrollin e shumë zonave në Irak dhe Siri - mori përgjegjësinë për sulmin.

Atë e pasuan shumë reagime në botë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se “imazhet janë thjesht të tmerrshme dhe thjesht të vështira për t’u parë”.

“Mendimet tona, padyshim, do të jenë me viktimat e këtij sulmi të tmerrshëm”, tha Kirby.

Bashkimi Evropian tha përmes një zëdhënësi se është “i tronditur dhe i tmerruar nga raportet” dhe se “dënon çdo sulm kundër civilëve”.

“Mendimet tona janë me të gjithë qytetarët e prekur rusë”, tha ai.

Kryeministrja e Italisë, Girogia Meloni, tha se Qeveria e saj e dënon “këtë akt të urryer terrorizmi”.

“Tmerri i masakrës së civilëve të pafajshëm në Moskë është i papranueshëm”, tha Meloni.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Francës, pamjet nga Moska “janë të tmerrshme”.

“Mbi këto akte të urryera duhet hedhur dritë”, tha ajo.

“Prapavija duhet të sqarohet shpejt”, tha edhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë.

“Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjet e viktimave”, shtoi ajo.

Ukraina, e cila tash e dy vjet lufton kundër pushtimit rus, mohoi se ka ndonjë rol në sulm.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit Volodymyr Zelensky, tha se “pavarësisht të gjithave, çdo gjë do të vendoset në fushëbetejë”.

Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, tha se vendi i tij qëndron “në solidaritet me Qeverinë ruse”.

“Ne shprehim dënimin tonë më të fuqishëm për sulmin e armatosur kundër civilëve në Moskë”, tha ai.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha përmes një zëdhënësi se “e dënon sulmin në termat më të fuqishëm të mundshëm”.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG