Ndërlidhjet

Serbia duhet të japë llogari për personat e pagjetur


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi

Shteti i Serbisë duhet të japë përgjigje dhe të japë llogari për fatin e personave të pagjetur, kanë thënë zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, më rastin e nisjes së shënimit të Javës së të Pagjeturve.

Edhe 19 vjet pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, 1,658 persona konsiderohen të pagjetur.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është zotuar se Qeveria e Kosovës nuk do të ndalet se kërkuari trupat e personave të pagjetur gjatë luftës 1998-99 dhe që shteti serb, siç ka thënë ai, duhet të përgjigjet dhe të japë llogari për këtë.

Kryeministri Haradinaj, nën patronatin e të cilit është organizuar “Java e të Pagjeturve”, ka thënë se plagët e luftës së fundit nuk mund të mbyllen dhe nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa ndriçimin e plotë të vërtetës së luftës në Kosovë.

“Java e të Pagjeturve na rëndon dhe na sjellë vuajtje dhe dhimbje për mijëra qytetarët, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur nëntëmbëdhjetë vjet pas lufte. Ju uroj të keni forcën, kurajon dhe të shohin përpara. Të jemi bashkë dhe t’i dalim përballë kësaj teme që është më e dhimbshme që ka Kosova, plaga e luftës”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër, përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe familjarë të personave që mungojnë, kanë kërkuar nga autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare që t’i bëjnë presion Serbisë për zgjidhjen e këtij problemi.

Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, ka thënë se Serbia e di se ku gjenden trupat e personave të pagjetur.

“Ju duhet të kërkoni nga autoritetet ndërkombëtare që të bëjnë presion tek autoritetet serbe, që të kthehen trupat e pagjetur. Ata e dinë se ku gjendet secila pjesë e trupit. Të gjallë ose të vdekur le t’i kthejë në Kosovë”, ka thënë Qerkini.

Të pakënaqur me angazhimin e deritashëm për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur janë shprehur edhe përfaqësues të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në Kuvendin e Kosovës.

Saranda Bogujevci, anëtare në këtë Komision, ka kërkuar që sa më shpejt të procedohen në Kuvend ndryshimet në Ligjin për të pagjeturit, kërkesë kjo e familjarëve të personave të pagjetur.

“Si Komision kemi kërkuar që sa më shpejtë të procedohet ky projektligj që të mund të punojmë dhe të nxjerrim një projektligj që përmbush kërkesat e familjarëve. Të premten, më 27 prill, që shënon datën e personave të pagjetur, do të mbahet seancë e jashtëzakonshme dhe do dalim me rekomandime specifike për punën që duhet bërë që të zbardhet fati i të pagjeturve”, ka thënë Bogujevci.

Kohë më parë është paralajmëruar se në fazën e ardhshme të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ekipi i Kosovës do të kërkojë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës, të jetë një nga temat e diskutimit.

Sipas Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, prej 1,658 personave të zhdukur, rreth 70 përqind janë shqiptarë, ndërsa 30 përqind janë serbë, romë, ashkali, egjiptas, boshnjakë dhe malazezë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG