Ndërlidhjet

Kuvendi shqiptar ratifikon marrëveshjen me Italinë për emigrantët


Seanca plenare në Tiranë më 22 shkurt 2024.
Seanca plenare në Tiranë më 22 shkurt 2024.

Kuvendi i Shqipërisë me 77 vota për ka ratifikuar marrëveshjen për emigrantët të nënshkruar me Italinë më 6 nëntor të vitit 2023.

Sipas Marrëveshjes për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, Italia do t’i dërgojë në Shqipëri emigrantët që i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe, duke filluar nga pranvera e këtij viti. Kjo marrëveshje është miratuara edhe në Itali nga Dhoma e Ulët e Parlamentit dhe nga Senati.

Veç deputetëve të Partisë Socialiste në pushtet, votën pro kësaj marrëveshjeje e dhanë edhe tre deputetët e Partisë në opozitë për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU).

Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda, tha se të gjithë duhet të kishim votuar për marrëveshjen, pasi Italia është një vend mik, që sipas saj, ka ndihmuar gjithnjë Shqipërinë në momente krizash.

Ndërkaq, deputetët që i përkasin Partisë Demokratike zyrtare e bojkotuan seancën parlamentare, për shkak të kundërshtive për Projektligjin e paraqitur në Kuvend për amnistinë penale. Në votim për marrëveshjen nuk morën pjesë as deputetët e “Rithemelimit”, edhe pse ishin të pranishëm në sallë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ishte pjesë e punimeve të Kuvendit, ndërsa në rrjetin social X, që më herët njihej si Twitter, ai shkroi se Shqipëria veproi si një vend anëtar i Bashkimit Evropian.

“Asnjë vend nuk mund ta zgjidhë një sfidë të tillë i vetëm, asnjë retorikë apo zgjidhje e shpejtë nuk mund të ndryshojë madhësinë e saj dhe asnjë lavdi e vjetër apo mënyra e të menduarit të kaluar nuk mund të sigurojë një shpëtim nga përballja me atë që po vjen në të gjitha frontet”, tha Rama.

Marrëveshja parasheh që Shqipëria të strehojë deri në 36.000 emigrantë për një vit, në dy qendra brenda shtetit, përderisa Italia të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil.

Partitë opozitare, si në Shqipëri edhe në Itali, e kanë kundërshtuar marrëveshjen. Në Shqipëri, opozita e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjen me pretendimin se binte ndesh me Kushtetutën. Gjykata e rrëzoi kërkesën e opozitës, duke i hapur rrugë kështu ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend.

Ndërsa në Itali, opozita e konsideroi marrëveshjen një propagandë të shtrenjtë të Qeverisë para zgjedhjeve evropiane që do të mbahen më vonë gjatë vitit, dhe një përpjekje të turpshme për ta shndërruar Shqipërinë në një “Guantanamo” të Italisë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbështetur marrëveshjen, të cilën e ka cilësuar si një nismë të rëndësishme dhe një ide kreative për të menaxhuar çështjen e migrimit. Por, grupet për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim me marrëveshjen, duke argumentuar se Italia po shmang obligimet e saj ndërkombëtare.

Amnistia penale, “peng” i 84 votave

Projektligji për amnistinë penale, prej të cilës do të përfitonin rreth 700 persona të paraburgosur dhe të dënuar, nuk arriti të miratohej në Kuvendin e Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, njoftoi tërheqjen e Projektligjit për dhënie amnistie nga rendi i ditës. Tërheqja nga ky projektligj u bë për shkak se nuk u siguruan 84 votat e nevojshme.

Në përfundim të seancës që zgjati 7 minuta, deputeti demokrat Gazment Bardhi, akuzoi PS-në se përmes këtij projektligji po synon të amnistojë ish-zyrtarë të korruptuar. Këto pretendime i hodhi poshtë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, duke deklaruar se nuk do të ketë asnjë lloj amnistie për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Megjithatë Manja u shpreh optimist se shumica do t’i sigurojë votat dhe amnistia do të miratohet së shpejti.

Gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, PD-ja e kushtëzoi votën për amnistinë me shtimin e një amendamenti. Partia Demokratike ka kërkuar amnisti të plotë të të gjithë protestuesve që janë në hetim apo janë të dënuar për shkak të veprimeve në protestat politike të organizuara në periudhën 1 tetor 2018 deri më 31 dhjetor 2020, duke kërkuar edhe amnistimin të atyre që janë dënuar për “goditje për shkak të detyrës”. Ky propozim është pranuar pjesërisht nga shumica parlamentare, e cila ka kërkuar që të mos falen ata që janë dënuar apo janë në ndjekje penale si të akuzuar për dhunë në protesta, shkatërrim i pronës me zjarr apo edhe dhunë ndaj policisë.

“Nuk dua votat e Lulzim Bashës me kusht. Dua votat e Kuvendit të Shqipërisë të lexojnë ligjin. Votat janë aty, do ketë mbi 90 vota ky ligj, ka deputetët të përgjegjshëm në atë sallë”, tha ministri Manja.

Ndryshon Ligji për zonat e mbrojtura, reagon BE-ja

Gjatë seancës plenare, deputetët miratuan ndryshimet në Ligjin për zonat e mbrojtura. Sipas ndryshimeve, në disa prej territoreve të klasifikuara si zona të mbrojtura, do të mund të ndërtohen struktura akomoduese me qëllim zhvillimin e turizmit apo agroturizmit, por me kushtin që të mbahet një ekuilibër mes natyrës dhe aktiviteteve të zhvilluara.

Protesta para Parlamentit shqiptar kundër ndryshimeve në Ligjin për zonat e mbrojtura. 22 shkurt 2024.
Protesta para Parlamentit shqiptar kundër ndryshimeve në Ligjin për zonat e mbrojtura. 22 shkurt 2024.

Miratimi i ndryshimeve ligjore u kundërshtua nga deputetët e opozitës, të cilët deklaruan se këto ndryshime do t’i hapin rrugë investimeve strategjike, duke u shërbyer interesave të një grupi biznesmenësh.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, tha se propozimet e Qeverisë janë në përputhje me direktivat e BE-së.

“Duke përcaktuar qartë zonat ku mund të ndërhyhet me nevojën për zhvillim të komuniteteve, orientuar nga turizmi, agroturizmi, në zona që përveç ndërhyrjes miqësore me mjedisin mund të ofrohen struktura që garantojnë cilësinë më të lartë të mikpritjes”, tha Kumbaro.

Por, delegacioni i BE në Tiranë, reagoi duke deklaruar se do të ndjekë vëmendje zbatimin sipas kuadrit ligjor të Bashkimit Evropian.

“Miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së nënkupton konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent. Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura”, u tha në deklaratën e delegacionit të BE-së.

Kryeministri Edi Rama, reagoi duke theksuar se është “100 për qind në një mendje me Bashkimin Evropian”.

Ai tha se ndryshimet në ligj forcojnë bazën e rrugës ambicioze për zhvillim të qëndrueshëm, “në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë”.

Në kohën që Kuvendi diskutonte ndryshimet në këtë ligj, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë protestuan para Parlamentit duke e kundërshtuar këto ndryshime ligjore.

XS
SM
MD
LG