Ndërlidhjet

Protestojnë studentë në Los Anxhelos, përleshen grupet pro-palestineze dhe pro-izraelite


Një grup protestuesish duke tentuar të heqin barrikadat në një kamp pro-palestinez në kampusin e Universitetit të Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA), në Los Kaliforni, SHBA, 1 maj 2024
Një grup protestuesish duke tentuar të heqin barrikadat në një kamp pro-palestinez në kampusin e Universitetit të Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA), në Los Kaliforni, SHBA, 1 maj 2024

Dy grupe të ndryshme të protestuesve, pro-palestinezë dhe pro-izraelit, janë përplasur me grushte, shkopinj e shqelma më 1 maj në kampusin e Universitetit të Kalifornisë, në Los Anxhelos (UCLA).

Pas disa orësh përleshjesh midis këtyre dy grupeve, policia ndërhyri për t’i ndarë grupet dhe për të shuar dhunën.

Vetëm disa orë më parë, policia kishte ndërhyrë edhe në një tjetër kampus universitar në SHBA, për t’i shpërndarë protestuesit pro-palestinezë që ishin izoluar brenda një ndërtese në Universitetin e Kolumbias.

Policia ka qenë më aktive nëpër kampuset në të gjithë SHBA gjatë dy javëve të fundit, pas protestave që u bënin thirrje universiteteve të ndalojnë së bëri biznes me Izraelin ose kompanitë që mbështesin luftën në Gazë.

Ka pasur konfrontime dhe më shumë se 1.000 arrestime të studentëve protestues.

Përleshjet në UCLA u zhvilluan rreth një kampi të ngritur nga protestuesit pro-palestinezë, të cilët vendosën barrikada, ndërsa kundërprotestuesit u përpoqën t'i rrëzonin ato. Disa protestues hodhën karrige dhe në një moment një grup njerëzish u grumbullua mbi një person që ishte shtrirë në tokë, duke e shkelmuar dhe rrahur me shkopinj.

Ende nuk dihet numri i personave të lënduar gjatë këtyre përleshjeve.

Kryetarja e Los Anxhelosit, Karen Bass, e quajti dhunën “absolutisht të neveritshme dhe të pafalshme” dhe tha se policët nga Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit ishin në vendngjarje, pasi u tha se Universiteti kishin kërkuar ndihmë policore.

Protestat e shpërndara nëpër SHBA

Sulmi i 7 tetorit në jug të Izraelit nga militantët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe ofensiva izraelite që pasoi kanë shkaktuar protestat më të mëdha studentore në SHBA që nga protestat kundër racizmit të vitit 2020.

Protestuesit propalestinezë u mblodhën gjithashtu në City College të Nju Jorkut, me universitetin që i urdhëroi ata të largoheshin nga kampusi, tha zëvendëskomisioneri i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, Kaz Daughtry. Dhjetra protestues u arrestuan, raportoi New York Times.

Daughtry tha gjithashtu se universiteti kishte kërkuar praninë e policisë për të ndihmuar në shpërndarjen e protestuesve.

Shumë nga protestat nëpër SHBA janë pritur me kundërprotesta që i akuzojnë ata për nxitje të anti-semitizmit. Pala propalestineze, përfshirë hebrenjtë që kundërshtojnë veprimet izraelite në Gazq, thonë se ata janë duke u cilësuar padrejtësisht si antisemitë për kritikat ndaj qeverisë së Izraelit dhe shprehjen e mbështetjes për të drejtat e njeriut.

Çështja ka marrë ngjyrime politike në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor, me republikanët që akuzojnë disa administratorë të universiteteve për mbylljen e syve ndaj retorikës anti-semitike.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, të martën e quajti hyrjen me forcë brenda ndërtesave të kampusit “qasje të gabuar”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG