Ndërlidhjet

S’ka më tekste falas për nxënësit nga klasa e gjashtë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Në Kosovë të hënën ka nisur viti i ri shkollor dhe sipas autoriteteve arsimore, janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për këtë vit.

Por, për dallim nga vitet tjera, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, sivjet nuk ka siguruar tekstet për të gjithë nxënësit e shkollave fillore.

Ministria e Arsimit ka vendosur që librat falas për këtë vit t’i sigurojë për nxënësit nga klasat e para deri në të pestën, kurse nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, thuhet se do t’i shfrytëzojnë tekstet e gjeneratës paraprake.

Por, nga Këshilli i Prindërve si dhe vetë nxënësit, thonë se tekstet e shfrytëzuara nga gjeneratat paraprake nuk mund t’u hyjnë shumë në funksion, pasi që ato ose janë dëmtuar ose janë të papërdorshme, sidomos kur bëhet fjalë për fletoret e punës.

Arbëri është nxënës i klasës së tetë. Ai thotë se jo të gjitha librat që u shfrytëzuan për një vit, mund të jenë të përdorshme.

“Unë këtë gjë nuk e pres mirë. Pasi ne i dimë problemet që do të hasim në ato libra. Si për shembull, fletorja e punës është e plotësuar komplet, pasi të njëjtën gjë e kemi bërë edhe ne në klasën e shtatë. Pastaj, librat mund të jenë shumë të dëmtuara”, thotë Arbëri.

Të shqetësuar me vendimin e Ministrisë shprehen edhe në Këshillin e Prindërve të Kosovës. Sipas tyre, disa nga librat nuk mund të jenë funksionale duke marrë për bazë cilësinë e letrës së teksteve.

Bajram Beqiri, udhëheqës i këtij Këshilli, thotë për Radion Evropa e Lirë se shfrytëzimi i disa prej librave nga vitet paraprake, do të ndikojë në mënyrë negative te nxënësit. Ai, madje, dyshon se në librari mund të gjenden të gjitha tekstet shkollore.

Ne edhe vitet e kaluara kemi pasur vërejtje te cilësia, e letrës dhe si të tilla nuk janë ruajtur mirë nga nxënësit dhe besoj se janë të dëmtuara dhe nuk i plotësojnë kriteret e mjaftueshme për t’u përdorur edhe për një vit”, thotë Beqiri.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit konsiderojnë se shfrytëzimi i librave nga gjeneratat paraprake nuk mund të paraqesë ndonjë vështirësi në procesin mësimor.

Mustafë Kadriu, drejtor i Departamentit Parauniversitar thotë për Radion Evropa e Lirë se komisioni i formuar nga Ministria për këtë çështje, ka vlerësuar se librat mund të përdoren.

“Një Komision që ka caktuar Ministria e Arsimit, ka vlerësuar se librat janë funksionale, pasi nxënësit janë të moshës ku mund të identifikojnë saktësinë edhe nëse ka pasur diçka të shkruar. Por, nxënësit nga klasa e parë deri të pestën, nuk mund të gjykojnë saktësinë e të dhënave në libra. Për këtë e kemi vendosur që niveli i ulët i arsimit të marrë librat falas”, shprehet Kadriu.

Por, ndryshe mendon nxënësi, me emrin Arbër i cili thotë se do të blejë librat për klasën e tetë, pasi nuk mund të mësojë në librat që tashmë ishin përdorur.

“Unë deri tash nuk i kam blerë librat, por kam dëgjuar nga shokët e mi që librat janë shumë shtrenjtë”, tregon Arbëri.

Në libraritë e Prishtinës, çmimet e teksteve shkollore nga klasa e gjashtë deri të nëntën sillen nga 1.5 deri në 2.5 euro për një libër. Por, ka edhe tekste më të shtrenjta, si Libri i muzikës apo Atlasi gjeografik që kushtojnë nga 3.5deri në 8 euro.

Në Shtëpinë Botuese, “Libri Shkollor” thonë se në treg ka tekste të mjaftueshme. Bajram Shatri, drejtor i kësaj Shtëpie Botuese, thotë për Radion Evropa e Lirë se librat tashme janë në shitje dhe të korrigjuara.

“ 'Libri Shkollor' të gjitha tekstet prej klasës se gjashtë deri të nëntën, të gjitha ato që i ka lejuar nga Ministria e Arsimit, janë në librari dhe mund të blihen nga nxënësit apo prindërit e tyre”, thotë Shatri.

Ndryshe, procesin mësimor edhe këtë vit shkollor e ndjekin më shumë se 350 mijë nxënës, në rreth 1200 objekte shkollore me më se 20 mijë mësimdhënës.

Shkollat fillore në kryeqytet
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:43 0:00

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG