Ndërlidhjet

ZRRE: Kompensim për konsumatorët që paguan rrymën për veriun


Një poç elektrik i vendosur pranë selisë së KEDS-it në Prishtinë gjatë një proteste në dhjetor të vitit 2021.
Një poç elektrik i vendosur pranë selisë së KEDS-it në Prishtinë gjatë një proteste në dhjetor të vitit 2021.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka vendosur që të obligojë shërbimet e shpërndarjes së energjisë elektrike që të kompensojnë konsumatorët të cilëve u janë faturuar shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.

Shërbimet e shpërndarjes në Kosovë janë Kompania e Furnizimit me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO) dhe Kompania kosovare për Shpërndarje të Energjisë Elektrike (KEDS).

Kompensimi i konsumatorëve do të nisë nga 1 qershori i këtij viti dhe do të zgjasë deri më 28 shkurt 2030.

“Bordi i ZRRE-së, sipas aktgjykimit të Gjykatës, ka vendosur që të obligojë shërbimet e Shpërndarjes së energjisë elektrike që të kompensojë vetëm konsumatorët të cilët vërtetohet se kanë qenë aktivë dhe kanë kryer detyrimet e pagesave për periudhën nga data 06.02.2012 deri më datën 20.10.2017. Këta konsumatorë do të kompensohen duke u zbritur në faturat e rregullta mujore vlerën përkatëse të kompensimit”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Që nga përfundimi i luftës më 1999, banorët në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nuk kishin paguar për rrymën e shpenzuar.

Deri në fund të vitit 2017, rrymën e shpenzuar në veri e kanë paguar qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës, të cilët kanë pranuar fatura me rritje. Atë vit, pas padisë së ngritur nga Avokati i Popullit, Gjykata Themelore në Prishtinë kërkoi që praktika e tillë të ndërpritje, pasi u konsiderua joligjore.

Në bazë të kësaj padie më 2021, detyroi ZRRE-në që të obligojë Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) për kthimin e mbi 40 milionë eurove për qytetarët e Kosovës.
Vendimi është konfirmuar nga shkallë më të larta juridike, përkatësisht nga Gjykata e Apelit dhe Supremja.

Nga viti 2017, Qeveria e Kosovës pagoi faturat për rrymën në veri.

Ndërkaq, nga shkurti i këtij viti, qytetarët në veri kanë pranuar faturat e para për energjinë elektrike. Faturat i ka lëshuar kompania Elektrosever, që është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije).

Kjo kompani mori licencën për autoritetet në Kosovë më 24 qershor të vitit 2023.

Faturat e lëshuara në fund të shkurtit ishin me çmim fiks, ndërkaq në muajin mars, faturat u lëshuan në bazë të rrymës së shpenzuar.

Në fillim të dhjetorit të vitit 2023, Bashkimi Evropian kishte njoftuar se kompania serbe, Elektrosever, kishte nënshkruar kontratë komerciale për energji me KEDS-in.

Më 21 qershor të po atij viti, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, as marrëveshja e as udhërrëfyesi nuk gjetën zbatim. Marrëveshja e nënshkruar në kuadër të dialogut synon rregullimin e çështjes së furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG