E dielë, dhjetor 21, 2014 Kosova 01:22

Lajmet

Acari mban të mbërthyer Ballkanin

Prishtinë

11.02.2012
Temperaturat e ulta kanë lënë mijëra njerëz pa energji elektrike në Ballkan dhe raportohet për dhjetëra të vdekur në rajon si pasojë e acarit.

Në Pejë dhe në rajonin e Dukagjinit në Kosovë, në përgjithësi janë rikthyer të reshurat e mëdha të borës, ndërsa raportohet se ajo tashmë ka arritur trashësinë në 1 metër e 30 centimetra.

Reshje të mëdha të borës ka edhe në Gjakovë dhe në vende tjera në Dukagjin. Për shkak të këtyre reshjeve Komuna e Pejës ende vazhdon ta mbajë gjendjen e jashtëzakonshme.

Në Shqipëri prej 11 ditësh vijojnë problemet nga moti i keq kryesisht në zonat veriore të vendit. Rrugë të bllokuara nga dëbora, komuna që prej ditësh nuk komunikojnë dot me qytetet, shpesh njoftohen situata emergjence shëndetësore, ndërsa janë shtuar ankesat për mungesa ushqimore.

Raportohet se moti i ftohtë dhe i acartë që ka goditur Ballkanin Perëndimor të premten mbrëma, bora e dendur si dhe erërat e fuqishme pritet të vazhdojnë deri të hënën.

Stuhia ka depozituar shtresa të reja bore dhe ka krijuar shtjella të larta, të cilat po e pengojnë qasjen në disa zona në rajon.

Disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike, meqë era dhe bora kanë shkëputur linjat furnizuese.

Në Serbi autoritetet raportojnë edhe për tri raste të reja të vdekjeve nga të ftohtët, duke rritur shifrën në 19.

Vlerësohet se 50 mijë njerëz nëpër fshtara të thella  kanë mbetur të shkëputur nga pjesa tjetër e botës.

Situata me energjinë elektrike është e rëndë, gjë që ka shtyrë qeverinë që të shtyjë pushimin dy-ditor të javës së ardhshme në pesë ditë, t’i mbajë të mbyllura shkollat dhe të mos furnizojë me energji elektrike fabrikat që nuk janë të domosdoshme.

Në Kroaci pritet që gjatë fundjavës të bie rreth 50 centimetra borë. Borë po bie madje edhe në bregdetin jugor të Adriatikut. Erërat e fuqishme që vijnë nga deti, kanë shtyrë autoritetet kroate të rrugëve, që të mbyllin disa pjesë të autostradës.

Shumë fshtara në rajonet malore të Bosnjës janë shkëputur nga bota që nga fillimi i kohës së keqe, afër dy javë më parë.

Një helikopter ushtarak, me 11 persona në bord, përfshirë edhe një ekip televiziv, pësuan një aksident të premten. Të gjithë mbijetuan, por me lëndime serioze.

Temperaturat kanë rënë në minus 32 gradë celsius në rajonin malor në jug të Polonisë.

Bora e dendur ka goditur disa pjesë të Italisë, në veçanti rajonet qendrore dhe jugore- ndërsa të premten 6 raste të vdekjeve janë lidhur me motin e keq.

Kalendari