E martë, tetor 21, 2014 Kosova 02:34

Lajmet

Tre të vdekur në Restelicë

Courtesy photo

11.02.2012
Policia e Kosovës konfirmoi edhe viktimën e tretë nga orteku që ka goditur disa shtëpi në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

“Gjatë përpjekjeve të vazhdueshme për nxjerrjen e perosnave të ngujuar nga orteku është nxjerrë edhe personi i tertë pa shenja jete”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Orteku i borës, me thellësi 10 metra dhe me gjerësi 500 metra ka goditur 15 shtëpi, të cilat gjenden në anën e djathtë të fshatit Restelicë.

Më herët zëvendës-ministrisë si Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shemsi Veseli konfirmoi për Radion Evropa e Lirë,  vdekjen e dy pesonave nga orteku.

Ekipet e shpëtimit janë duke vepruar drejtpërdrejt në vendin e ngjarjes në fshatin Restelicë, në shtëpitë, të cilat janë goditur nga orteku i borës, bën të ditur zëvendës-ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shemsi Veseli. Ai ka thënë se njësitë e shpëtimit tashmë kanë arritur që ta nxjerrin nga bora një person me shenja të jetës, të cilit është duke iu dhënë ndihma mjekësore.

Por, zëvendësministri Veseli ka apeluar tek qytetarët që kanë shkuar në Restelicë për të ndihmuar që t’i largojnë veturat, të cilat sipas tij i kanë parkuar në mënyrë të çrregullt në rrugën e ngushtë që çon për këtë fshat dhe e kanë bllokuar qarkullimin e njësive  dhe makinerisë së rëndë të FSK dhe Policisë së Kosovës. Pengesat në rrugë nga veturat, sipas tij, kanë penguar depërtimin e eskavatorëve në vendngjarje.

Policia tha se dyshohet se edhe tetë persona të tjerë gjenden të mbuluar me borë.