Ndërlidhjet

Nëna e sulmuesit në Kanada: Po vajtoj viktimat jo të birin


Pamje pas sulmit në Otava, para Parlamentit.
Pamje pas sulmit në Otava, para Parlamentit.

Nëna e sulmuesit në Kanada, i cili ka shtënë me armë zjarri në një ushtar kanadez , duke e vrarë atë në memorialin e luftës, ka thënë se ajo po i vajton viktimat e jo të birin.

Biri i saj, pasi që ka shtënë me armë në ushtarin kanadez, ka hyrë në Parlamentin e Kanadasë në Otava. Ai është vrarë nga policia kanadeze, derisa po përpiqej që të largohej.

“Po vajtoj për viktimat, jo për djalin tim”, është shprehur nëna e sulmuesit, për Associated Press.

Shteti kanadez, është alarmuar nga sulmet e shkaktuara të mërkurën më 22 tetor, ku një sulmues ka vrarë një ushtar, duke krijuar trazira edhe në Parlament ashtu edhe në një qendër tregtare.

Policia e vendit, ka vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe që të kërkoje edhe ndonjë të dyshuar tjetër, pasi që nuk kanë qenë të sigurt nëse ka pasur më shumë se një sulmues.

Pjesë të shumta të kryeqytetit të Kanadasë, mbesin të bllokuara

Kurse, në një konferencë për media, kryeministri kanadez Stephen Harper duke iu drejtuar popullit, ka thënë se ‘Kanadaja nuk trembet, Kanadaja do të luftojë terrorizmin”.

Kanadaja para disa javësh ka rritur nivelin e sigurisë nga ‘i mesëm’ në ‘të lartë’, për shkak kërcënimeve të milintatëve islamist, të cilët kanë kërcënuar se do të sulmojnë edhe këtë vend.

Por siç njofton BBC, tani ky vend, po e rishqyrton edhe më tutje rritjen e nivelit të sigurisë.

Kanadaja i është bashkuar koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-të, për të luftuar militantët e Shtetit Islamik në Irak, përmes sulmeve ajrore.

XS
SM
MD
LG