Rusia thotë se do ta paraqes një propozim të ri për zgjidhjen e mospajtimeve për borxhin me Ukrainën.
Duke folur sot para gazetarëve gjatë samitit të G20-tës në Turqi, ministri i financave i Rusisë, Anton Siluanov, tha se për këtë çështje Moska ka biseduar me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Por, ai nuk e ka zbuluar asnjë detaj.
Ukraina ka arritur një marrëveshje për ristrukturim në vlerë prej 15 miliardë dollarësh me kreditorët e jashtëm privatë, ndërsa është kërcënuar me mospagesë, nëse Rusia nuk i pranon kushtet ukrainase.
Moska argumenton se borxhi prej 3 miliardë dollarësh i Ukrainës ndaj Rusisë, që duhet të paguhet në dhjetor, nuk është subjekt i bisedave për ristrukturim me kreditorët komercialë.
“Ne konsiderojmë se është e papranueshme për ne të bisedojmë për ristrukturim, që është i ngjashëm me kreditorët komercialë dhe për këtë arsye ne e kemi bërë sugjerimin tonë”, tha Siluanov.