Ndërlidhjet

Irak: Ushtarët e Turqisë i vranë 18 militantë të IS-it


Një patrullë e ushtarëve të Turqisë në kufirin me Irakun
Një patrullë e ushtarëve të Turqisë në kufirin me Irakun

Autoritetet e Turqisë thonë se ushtarët e saj e kanë zmbrapsur një sulm nga grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), kundër pjesëtarëve turq në vendin Bashiq, në pjesën veriore të Irakut.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha sot se gjatë dhunës janë vrarë 18 militantë, ndërsa ndër ushtarët e Turqisë nuk ka pasur viktima.

Luftimet kanë filluar jashtë kampit Bashiq, që është afër qytetit Mosul, i cili prej qershorit të vitit 2014 është nën kontroll të militantëve të IS-it.

Vendosja e afro 150 trupave turke në pjesën veriore të Irakut, vitin e kaluar, kishte krijuar mospajtime ndërmjet Turqisë dhe Irakut.

Qeveria e Irakut pat kërkuar tërheqjen e trupave të Turqisë, duke thënë se prania e tyre paraqet shkelje të sovranitetit të Irakut.

Ankaraja ka thënë se forcat shtesë turke ishin atje për t’i stërvitur luftëtarët sunitë, me shpresë se do të merrej kontrolli nga IS-i në Mosul.

Më vonë Turqia e ka tërhequr një numër të trupave të veta.

XS
SM
MD
LG