Grupi i Shtetit Islamik (IS) ka pranuar për herë të parë se luftëtarët e tij janë mposhtur në Kobani të Sirisë dhe është zotuar se do ta sulmojë këtë qytet përsëri.
Në një video të publikuar nga agjencia pro IS-it, Aamaq, dy luftëtarë kanë thënë se sulmet ajrore, të kyera nga koalicioni ndërkombëtar, kanë qenë arsyeja kryesore përse luftëtarët e IS-it janë detyruar të tërhiqen nga Kobani.
Forcat kurde, të mbështetura nga sulmet ajrore, kanë marrë kontrollin e plotë të Kobanit të hënën.
Kobani është bërë simbol i luftës kundër militantëve të Shtetit Islamik, të cilët, verën e kaluar, kanë marrë nën kontroll territore të mëdha në Irak dhe Siri.
Grupi militant ka humbur më shumë se 1,000 luftëtarë në përpjekje për të marrë kontrollin e Kobanit qysh më 16 shtator.