Ndërlidhjet

Hoxhajt i premtohen shtim njohjesh në OBI


Enver Hoxhaj
Enver Hoxhaj
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), ka zhvilluar një takim të veçantë me sekretarin e përgjithshëm të OBI-t, Ekmeleddin Ihsanoglu.

Ky i fundit, sipas nje komunikate per media te MPJ-se, ka vlerësuar lart progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë ditës, ka zhvilluar një takim zyrtar bilateral edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Xhibutit, Mahmoud Ali Jusuf.

Ministrat Hoxhaj dhe Jusuf kanë biseduar për forcimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, në shumë fusha.

Dy ministrat po ashtu janë pajtuar që deri në fund të këtij viti të vendosen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Xhibutit dhe që të avancohet bashkëpunimi i gjithanshëm ndërmjet popujve dhe qeverive të të dyja vendeve.

Ministri i Punëve të Jashtme i Xhibutit, Mahmoud Ali Jusuf, i cili ka udhëhequr takimin e Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të OBI-t, me ftesë të ministrit Hoxhaj, vitin e ardhshëm do të vizitojë Republikën e Kosovës, thuhet ne njoftim.
XS
SM
MD
LG