Ndërlidhjet

Ramush Haradinaj, qytetar nderi i Tetovës


Ramush Haradinaj, foto nga arkivi
Ramush Haradinaj, foto nga arkivi
Tetova të hënën i ndau titullin qytetar nderi ish kryeministrit të Kosovës, aktualisht kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se personaliteti i zotit Haradinaj parqet një nga figurat kombëtare që promovuar frymën e bashkëpunimit ndërshqiptarë në të gjitha viset e rajonit.

Ramushi është një hero i gjallë dhe kam nderin që si kryetar i komunës, bashkë me qytetarët e mi ta shpallim qytetarë nderi”, u shpreh Bexheti.

Por, vendimi komunës ka nxitur revoltë te këshilltarët maqedonas, të cilët e kanë bojkotuar seancën kur është votuar për vendimin në fjalë me arsyetimin se i njëjti është marrë me procedurë të përshpejtuar duke shkelur parimin e votimit të shumicës së dyfishtë.

Këtë e ka kundërshtuar kryetari i komunës, duke theksuar se janë respektuar të gjitha procedurat pa përjashtim.

“Iniciativën e kam marrë unë, më pas kryetari u këshillit e ka vënë në rend dite, dhe ka marrë vizë nga shumica e anëtarëve të këshillit komunal, vetëm pala maqedonase është ajo që se ka votuar, dhe mendoj se është problem i tyre se pse nuk e votuan këtë vendim".

"Më duhet të theksoj se ky vendim nuk është kundër maqedonasve, sepse Ramushi është nga njerëzit që është angazhuar dhe ka garantuar kufijtë e Maqedonisë, pra ka luftuar që të ekzistojë kjo Maqedoni me kufijtë aktualë", theksoi Bexheti.

Por, drejtori i inspektoriatit shtetëror për pushtetin lokal, Vanço Shehtanski, tha se vendimi i komunës është antiligjor dhe ai do të angazhohet që ta anulojë këtë vendim.

E para, nuk është respektuar ligji, gjegjësisht neni 55 i ligjit për vetëqeverisje lokale, pra nuk është marrë vendim nga komiteti për marrëdhënie ndërnacionale i komunës. E dyta, ky vendim është sjellë pa praninë e këshilltarëve maqedonas, andaj unë si drejtor i inspektoriatit për pushtet lokal këtë vendim do ta anuloj”, ka theksuar Shehtanski.

Sipas tij, ceremonia e së hënës paraqet aktivitet privat, sepse siç ka theksuar ai, personalisht do të angazhohet që mos dalë në gazetën zyrtare.

"Mund të bëhen ceremoni të ndryshme por në korrespodencën zyrtare të Republikës së Maqedonisë ku shpallen vendime të këshillave komunale, një gjë e këtillë zyrtarisht nuk do të ekzistojë”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë Shehtanski.

Dhjetëra qytetarë maqedonas gjatë orëve të paradites kanë protestuar para komunës së Tetovës. Ata janë shpërdar pas disa minutash me arsyetimin se nuk ndjehen të sigurtë për të qënruar më gjatë.

Ndryshe, në mbështetje të komunës së Tetovës ka dalë edhe ministri i pushtetit lokal, Nevzat Bejta, duke thënë se vendimi është në rregull dhe se Komuna ka të drejtë të marrë vendime të tilla legjitime.

Ndryshe, kryetari i degës së shoqatës së të burgosurve politikë gjatë regjimit monist të Tetovës, Qebir Xherasha, thotë se shpallja e Haradinajt për qytetar nderi është edhe një satifaksion shtesë për të gjithë veprimtarët që luftuan për të drejtat e shqiptarëve, veçanërisht pas shpalljes së pafajësisë edhe nga gjykata e Hagës për Haradinajn.

Ardhja e zotit Haradinaj në Tetovë është nder dhe respekt njëkohësisht, një ngjarje e ndërsjellë. Mendoj se ne, tetovarët, e kemi pasur obligim të nderojmë personalitetin e tij, këtë e them kur kemi parasysh të kaluarën e tij veçanërisht gjatë periudhës 98 dhe 99 gjatë luftës dhe pas saj kur pranoi të lëshojë postin e kryeministrit dhe të përballet me gjykatën e drejtësisë në Hagë dhe të dalë si fitues në këtë proces".

"Reagimet e palës maqedonase për ne si shoqatë janë pa vend, sepse ne si shqiptarë jemi shqiptarë kudo që të jemi, në Shqipëri, Kosovë ose kudo, dhe tradita kërkon të nderohen personalitet për veprat, kjo nuk duhet të frikësojë askënd”, theksoi Xherasha.

Ndryshe, Ramush Haradinajt i është organizuar një pritje madhështore nga qytetarët e Tetovës.
XS
SM
MD
LG