Ndërlidhjet

Hendeku i thellë i krizës politike në Maqedoni


Flamuri i Maqedonisë
Flamuri i Maqedonisë
Pas vendimit për të bojkotuar zgjedhjet lokale të 24 marsit, opozita prej të hënës do të nisë konsultimet për gjetjen e formave të reja të shprehjes së protestës kundër, siç thuhet, regjimit të Nikolla Gruevskit.

Opozita gjithashtu ka bërë të ditur se është e gatshme për të biseduar për dalje nga kriza e thellë në të cilën ndodhet Maqedonia, por hapin e parë duhet ta bëjë pushteti, thotë nënkryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Presim nga qeveria që të bëjë hapin e parë, ne si opozitë jemi të gatshëm për dialog. Asnjëherë nuk është vonë që të përmirësohen gabimet pavarësisht se nga cila palë janë bërë. Pra, pres veprime më të pjekura nga ana e pushtetit".

"Por, edhe nga ana e opozitës. Nëse kjo thirrje e jona injorohet atëherë ne do të ndërmarrim të gjitha masat demokratike për të ndërgjegjësuar opioninin, por dhe për të forcuar edhe më tej kapacitetet e opozitës për dalje nga kriza”, thotë Zaev, duke njoftuar për një takim të ri të partive të Frontit opozitar për definimin e veprimit të mëtejmë të opozitës.

Kuptohet se metodat e reja do të jenë më ndryshe nga ato që kemi aplikuar deri më tani pasi opinioni pret forma të reja të rezistencës dhe të shprehjes së pakënaqësisë ndaj pushtetit aktual”, thotë Zaev duke refuzuar të jap detaje për format e protestës së opozitës.

Ai konfirmoi edhe njëherë se në ditën e zgjedhjeve lokale, më 24 mars, të gjithë 42 deputetët e opozitës do të dorëzojnë mandatet e tyre në Kuvend.

Por, nga VMRO-DPMNE-ja e kryeministri Nikolla Gruevski, mbeten në qëndrimet e mëparshme se me, ose pa opozitën, zgjedhjet do të mbahen në afatin e paraparë dhe përgjegjësia për situatën e krijuar bie mbi liderin e LSDM-së, Branko Cërvenkovski, i cili, sipas partisë së Gruevskit, interesat personale i ka vendosur mbi ato të partisë së tij dhe interesat e shtetit në përgjithësi.

Kryeministri Gruevski gjithashtu në disa raste ka përsëritur qëndrimin se ketë këtë vit në Maqedoni nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Pozicionet e këtilla të partive politike kanë përkeqësuar atmosferën e përgjithshëm në vend, thonë analistët politikë.

Kriza gjithsesi se do të reflektohet në formën më të keqe të mundshme, jo vetëm në skenën politike, por edhe në jetën shoqërore, ekonomike, e kështu me radhë. Maqedonia po hyn në krizë të thellë pasi opozita do të radikalizojë veprimet e saj".

"Realisht pres që t'i dorëzojnë edhe mandatet me çka ajo plotësisht do të veproj jashtë institucioneve politike dhe si rrjedhojë e kësaj mund të presim demokraci të rrugës. Pra, komoditetin që pushteti e ka pasur deri më tani, sigurisht që opozita do të tentojë t'ia pamundësojë”, thotë Albert Musliu duke shtuar se në rast të kthimit të mandateve alternativë e vetme për dalje nga kriza do të jenë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Duke komentuar reagimet e shumta nga përfaqësuesit ndërkombëtar, të cilët, deri në ditën e fundit të skadimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave kërkonin marrëveshje politike, Musliu nuk beson se BE-ja do të anashkalojë Maqedoninë nga agjenda, por thotë se presionet e Brukselit do të vazhdojnë të jenë edhe më të fuqishme ndaj partive politike.

Nuk besoj se ndërkombëtarët do ti çojnë duart nga vendi. Ne prapë se prapë jemi pesë e Evropës dhe nuk kanë se si të na anashkalojnë. Por, padyshim se ata kanë humbur durimin andaj edhe qëndrimet e tyre do të jenë më të prera në periudhën që vijon”, shprehet Musliu.

Për shkak të thellimit të mosmarrëveshjeve me partive politike dhe vendimit të opozitës për bojkotimin e zgjedhjeve, komisioneri për zgjerim i BE-së, Stefan Fule ka anuluar vizitën e paraparë këtë javë në Maqedoni.

Ai, por edhe zyrtarë tjerë të lartë evropian kanë theksuar se kriza do të reflektohet në raportin e pranverës të KE-së për Maqedoninë.
XS
SM
MD
LG