Ndërlidhjet

Prishtina sot fuqizon Kushtetutën


Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi në seancën e miratimit të Kushtetutës, 9 prill 2008.
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi në seancën e miratimit të Kushtetutës, 9 prill 2008.

Në ditën e fuqizimit të Kushtetutës, presidenti Fatmir Sejdiu nënshkroi 41 ligje që burojnë nga pakoja e Ahtisaarit, që Kuvendi i Kosovës, në koordinim me Zyrën Civile Ndërkombëtare, i ka hartuar dhe miratuar 4 muajt e fundit.


Me fuqizimin e Kushtetutës së Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu ka nënshkruar sot edhe 41 ligje bazike shtetërore që burojnë nga plani i Ahtisaarit. Presidenti Sejdiu tha se pas shpalljes së pavarësisë, hyrja e Kushtetutës në fuqi është data më e rëndësishme për Kosovën.

Ai tha se Kosova është vend demokratik që do t’i zbatojë vlerat më të larta të demokracisë, duke i respektuar të drejtat e pakicave dhe duke synuar që në të ardhmen të jetë pjesë e integrimeve euroatlantike.

Presidenti kosovar tha po ashtu se në Kosovë ka dhe do të ketë edhe probleme, sidomos në pjesën veriore të saj. Por, sipas tij, në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë, institucionet vendore do të punojnë që pushteti legal dhe rendi kushtetues të shtrihen dhe të zbatohen edhe në veri të Kosovës.

“Edhe shtetet që janë me sovranitet të hershëm, të njohura ndërkombëtarisht dhe janë anëtare të Kombeve të Bashkuara, kanë probleme në strukturën e brendshme të tyre. Ne dëshirojmë që kjo pjesë e hezitimeve për integrim të një pjese të qytetarëve serbë, të jetë pjesë e angazhimit tonë të thellë në të ardhmen, me projekte zhvillimore, me inkurajimin e tyre se Kosova është atdhe i të gjithëve dhe me një ndihmesë të drejtpërdrejtë të bashkësisë ndërkombëtare që është e pranishme në Kosovë”, tha Sejdiu, pas ceremonisë së nënshkrimit të ligjeve të pakos së Ahtisaarit, ku ishte i pranishëm edhe shefi i ICO-s, Pieter Feith.

Duke filluar të funksionojë si shtet, Kosova, sipas presidentit Sejdiu, tash duhet të angazhohet që t’i zgjidhë problemet ekzistuese, duke i koordinuar veprimet e saj me bashkësinë ndërkombëtare. Në çdo rast, ai tha se as Kosova dhe as pjesa veriore e saj, nuk do të shndërrohet në një konflikt të ngrirë.

“Unë mund të them se janë shumë rrafshe që duhet të punohet. E para, që është edhe e nivelit parimor dhe e koduar të themi edhe me mbështetjen ndërkombëtare, është projekti Ahtisaari, që parasheh shuarjen e strukturave paralele në Kosovë e që është edhe qëndrim i institucioneve të Kosovës, që strukturat paralele të mos kenë më hapësirë në Kosovë. Çështja e dytë është që në ato pjesë ku ka probleme në Kosovë, të jetë një pjesë që do të marrë trajtimin themelor dhe esencial”, u shpreh presidenti kosovar.

Ligjet e pakos së Ahtisaarit, të cilat i ka nënshkruar sot presidentit Sejdiu, atij i janë dorëzuar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Me këtë rast, Krasniqi tha se Kuvendi dhe institucionet tjera vendore kanë punuar që nga dita e fuqizimit të Kushtetutës, që Kosova të ketë infrastrukturën e plotë ligjore që të funksionojë si shtet. Krasniqi vlerësoi se këto muajt e parë që nga shpallja e pavarësisë e këndej, kanë sjellë përparime të mëdha në Kosovë.

“Proceset pozitive gjithnjë i kanë vështirësitë e tyre. Por, Kosova po shkon drejt njohjes ndërkombëtare. Deri më tani është njohur nga 43 vende të botës dhe po të shikohet fuqia ekonomike, politike, po edhe ushtarake e këtyre vendeve, por sidomos ajo ekonomike, përmban mbi 70 për qind të GDB-së kombëtare botërore dhe natyrisht ne presim që pavarësia të njihet nga vendet e botës”, tha Krasniqi.

Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës do të shënohet me një akademi solemne që do të mbahet në Prishtinë, rreth orës 19:00. Aty do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë dhe politikë të Kosovës, ambasadorë dhe përfaqësues të zyrave diplomatike në Prishtinë, si dhe personalitete të jetës publike.

Bazuar në pakon e Ahtisaarit, nga dita e sotme do të duhej të shënohej edhe largimi i UNMIK-ut nga Kosova, por letra e fundit e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, e cila u pranua në parim nga autoritetet e Prishtinës, tregon për një rikonfigurim dhe jo largim të administratës së UNMIK-ut. Andaj, edhe pas fuqizimit të saj, Kushtetuta e Kosovës, sipas shumë analistëve, nuk do të mund të zbatohet në tërësi, përderisa në Kosovë të mbetet administrata e Kombeve të Bashkuara.

Sidoqoftë, me Kushtetutën e saj, Kosova definohet si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm. Republika e Kosovës është shtet laik, shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, thuhet në dispozitat kryesore të Kushtetutës. Njëherësh, me miratimin e kësaj Kushtetute dhe hyrjes së saj në fuqi, Kosova fillon dhe zbatimin e pakos së Ahtisaarit si marrëveshje për statusin e saj.

XS
SM
MD
LG