Ndërlidhjet

Viktimat më potenciale të trafikimit


Trafikimi me qenie njerëzore është i përhapur në Kosovë dhe në të shumtën e rasteve prek vajzat dhe gratë me nivel të ultë të arsimimit, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare. Në këtë kuadër, grupe të rrezikuara konsiderohen edhe vajzat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas. Për këtë qëllim, organizata “Prosperiteti” ka filluar një projekt për vetëdijesimin e kësaj kategorie.


Trafikimi me qenie njerëzore është shumë i përhapur në Kosovë dhe grupet më të rrezikuara janë gratë dhe vajzat e reja, të cilat jetojnë në viset rurale, në gjendje të rëndë sociale, që kanë nivel të ultë të arsimimit dhe që janë të painformuara për këtë çështje.

Kështu thotë Rifat Batusha, drejtor i Fondacionit Kosovar për Popullsi, duke u bazuar në hulumtimin e fundit mbi njohurinë e popullatës për këtë fenomen.

“Nga të dhënat e intervistave që kemi bërë me vajzat e rrezikuara, 14-18 vjeç, del se 62 për qind e këtyre vajzave mendojnë se nuk janë të rrezikuara nga trafikimi. Kjo është një e dhënë, e cila na tregon se informimi i vajzave të reja nuk është në nivelin e duhur”, thotë Batusha.

Ndryshe, kjo dukuri në rritje e sipër ka prekur edhe vajzat dhe gratë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, kategori kjo që llogaritet me nivelin më të ultë të arsimimit në Kosovë. Ky problem e ka nxitur organizatën joqeveritare "Prosperiteti" në Gjakovë, që të zhvillojë trajnime vetëdijesuese, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kësaj dukurie.

Kështu thotë Ardijana Haxhibeqiri, nga kjo organizatë, duke shtuar se ekzistojnë statistika që rreziku nga trafikimi me qenie njerëzore e ka prekur edhe këtë komunitet.

"Duke parë rrezikun pas vitit 2003-2005, trafikimi me qenie njerëzore është mjaft në rritje. Kështu që është marrë një iniciativë, sidomos të punohet me disa grupe të vajzave dhe grave që kanë një shtresë më të ultë të arsimit, po ashtu edhe kushteve ekonomike e kështu më radhë. Grupet benificuese të këtij projekti janë grupet minoritare, rome, ashkali dhe egjiptase”, pohon Haxhibeqiri.

Ky projekt, përmes ligjëratave, ka për qëllim sensibilizimin e femrave të këtij komuniteti ndaj rreziqeve të trafikimit, thotë Haxhibeqiri. Ajo thotë se shumë vajza nga ky komunitet nuk kanë njohuri për trafikimin e qenieve njerëzore, kështu që, sipas saj, këto vajza mund të jenë viktima të mundshme të trafikimit.

"Gjatë trajnimeve , gjatë ligjërimeve, grupet e grave, shumica prej tyre, nuk e kanë ditur se çka është trafikimi apo me çka lidhet trafikimi. Kështu që atyre, me këtë rast, u ofrohet njohuri për këtë dukuri, e cila është mjaft në rritje dhe ato thjesht mund të mbrohen apo mund të dinë kush janë ata persona, të cilët mund t'i trafikojnë këto vajza apo gra",
potencon Haxhibeqiri.

Edhe Veton Elshani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, thotë se në mesin e viktimave të identifikuara ka edhe vajza nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas.

“Që nga viti 2001, kur ne mbajmë statistika për trafikim me qenie njerëzore e deri më sot, ato tregojnë se nëpër vite kemi pasur, përpos shqiptareve dhe kosovareve, edhe nacionalitete rome, kroate, serbe, apo të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë“, thotë Elshani.

Ndryshe, sipas organizatave që merren me mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore, është rritur dukshëm numri i viktimave që shfrytëzohen për qëllime seksuale. Sipas këtyre organizatave, prej vitit 2001 e deri më tani, janë identifikuar afër 600 viktima.

Por, për dallim nga vitet e mëparshme, që nga viti 2005, Kosova është shndërruar në vend origjine dhe destinacioni për trafikim të qenieve njerëzore, kështu që është rritur dukshëm numri i viktimave kosovare dhe është zvogëluar numri i viktimave të huaja.
XS
SM
MD
LG