Dëgjo

Dëgjo tani

Programi i mëngjesit

Programi i radhës

 


Rajoni

Plani KB-Serbi destabilizon rajonin

21.11.2008
Zbatimi eventual i planit gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, paraqet rrezik për stabilitetin në Maqedoni dhe në vendet tjera të rajonit, theksojnë zyrtarë të lartë të partive politike shqiptare, si dhe ekspertët e pavarur në vend.

”Nëse do të kemi implikime negative në integritetin territorial të Kosovës, atëherë gjithsesi do të ketë efekte domino në Ballkan – në Maqedoni dhe më gjerë. Prandaj, të gjitha projektet që kanë të bëjnë me stabilizimin e Kosovës, ato projekte duhet të kenë mbështetjen fillestare të institucioneve legjitime të Kosovës”, thotë deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Tahir Hani.

Edhe nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Iljaz Halimi, vlerëson se plani gjashtëpikësh për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë do të hapë çështje të pambyllura në Maqedoni.

”Në raport me atë që u ofrohet komunave me shumicë serbe në Kosovë, atëherë vetvetiu paraqitet nevoja e ndonjë paralelizmi, se nuk mund të ketë dy kute nga faktori ndërkombëtar për zgjidhjen apo mundësinë e funksionimit të pushtetve lokale, pavarësisht se për cilin shtet bëhet fjalë. Në këtë mënyrë, mund të ndikojë që të paraqiten kërkesa për një mundësi të barabartë të funksionimit të pushtetve lokale”, tha Halimi.

Ndërkohë, Biljana Vankovska, nga Instituti për Kërkime Socio-politike në Shkup, vlerëson se faktori ndërkombëtar duhet të jetë shumë i kujdesshëm kur bëhet fjalë për Kosovën dhe duhet të punojë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, e jo të lejojë ndarjen eventuale të Kosovës në baza etnike.

"Me krijimin e tërësive të pastra etnike parashtrohet pyetja, ku do të ndalet ai proces, mos ndoshta do të vazhdojë në Maqedoni me ndonjë ridefinim të ri të rregullimit kushtetues? Bosnja është një bombë e tempuar me shumë çështje të pazgjidhura, kështu që mendoj se faktori ndërkombëtar duhet të tregojë përgjegjësi më të madhe dhe ndjenjë për atë që tash po e bën", thekson Biljana Vankoska.

Nga ana tjetër, edhe Jeton Shasivari, politikolog, nënvizon se “miratimi i këtij plani dhe vënia e tij në jetë në Kosovë, do të reflektohet mjaft negativisht”

“Si plan parasheh krijimin e zonave etnike që do të jenë zona kancerogjene, t’i quaj kështu, për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran dhe këto zona, në të ardhmen, lirisht do të mund të shndërroheshin në pjesë të Serbisë. Posaçërisht plani i Ban Ki Moonit, po qe se vihet në zbatim dhe në aplikim në Kosovë, do të shkaktojë një efekt domino për tërë rajonin dhe më gjerë
”, tha Shasivari.
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
     
Komentet
Nga : Arber Gashi Prej : Zvicër
24.11.2008 12:25
Bashkësia Ndërkombëtare, përkatësisht përfaqësuesit e BE-së në Kosovë, komisioni europian, parlamenti europian dhe komesari për politikë të jashtme të BE-së Havier Solana mbajnë përgjegjësi direkte për mungesën e demokracisë në Kosovë, në Serbi, në Kroaci dhe në gadishullin ilirik në përgjithësi. Politika e tyre e kaosit dhe mohimit të vullnetit demokratik, ka sjellë gadishullin në një situatë tejet komplekse me tendencë të destabilizimit të përgjithshëm. Mbështetja që i jipet politikave shovenisto-fashiste (siq është politika e formuluar në memorandumin e Akademinë serbe) na bënë të kuptojmë se BE "nuk" ka strategji dhe përgjegjësi demokratike të mirëfilltë për stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe paqe afatgjatë në Europën juglindore. Solanës dhe bashkëpuntorëve ju mungon autoriteti dhe vizioni demokratik e prosperues për këtë pjesë të Europës. Banorët e gadishullit, qofshin ata shqiptarë, kroatë, serbë, malazezë, maqedonë apo grek janë të indinjuar me politikën Franco të Havier Solanës. Politika e komisionerit Solana, vë në pyetje jo vetëm kredibilitetin demokratik të të gjitha vendeve të Bashkësisë Europiane kundrejt vendeve të Europës juglindore, kjo politikë druajmë shumë se, brenda një periudhe tremujore ka për ta nxitur një prej konflikteve më bizarre në historinë gadishullit. Tendencat për ti bërë ndarjet e dhunshme mbërthejnë akcione terroriste të nduarnduarshme të mbështetura direkt nga makineria politike e komesarit Solana. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban dhe puthadorët e Solanës në Kosovë janë vetëm zbatues të politikës Franco-Fashiste të Havier Solanës.
     

Prodhimet dhe shërbimet:

PodcastRSS