Ndërlidhjet

Lëmshi rreth CEFTA-s


CEFTA, vendet anëtare
CEFTA, vendet anëtare

Qeveria e Kosovës duket se ende s'e ka të qartë se si të zgjidhë çështjen e bllokadës, bërë mallrave kosovare nga Serbia e Bosnja. Zyrtarë ndërkombëtarë thonë se problemi duhet zgjidhur mes Kosovës e CEFTA-s.



Përfaqësuesit e Komisionit Evropian në Kosovë thonë se Kosova duhet t’i ndjekë procedurat e parashikuara me Marrëveshjen për Tregti të Lirë për Evropën Qendrore, CEFTA, për të zgjidhur çështjen e bllokadës - bërë produkteve kosovare nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Që nga data 3 dhjetor e vitit 2008, këto vende kanë bllokuar kalimin e produkteve kosovare përmes territorit të tyre, për shkak të ndërrimit të vulës së misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë me atë të Republikës së Kosovës.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Daviddi, thotë për Radion Evropa e Lirë se është përgjegjësi e shteteve të përfshira në këtë çështje të zgjidhin "mosmarrëveshjen tregtare", siç e quan ai, përmes mekanizmave adekuatë të CEFTA-s.

"CEFTA është një marrëveshje dhe të gjitha shtetet që i përmendët, duke përfshirë Kosovën, janë nënshkruese të marrëveshjes. CEFTA lejon trajtimin favorizues për produktet ndërmjet shteteve anëtare dhe nënshkruese të saj. Tani, Serbia nuk njeh disa mallra që janë me origjinë nga Kosova, pra nga një shtet anëtar i CEFTA-s, andaj dhe nuk po lejon që transporti të bëhet përmes territorit të saj. CEFTA është një marrëveshje ndërmjet shteteve, kështu që shtetet duhet t'u drejtohen mekanizmave të arbitrimit për të sqaruar këtë mosmarrëveshje tregtare", thotë Daviddi.

Lidhur me mundësinë e përfshirjes së faktorit ndërkombëtar në Kosovë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, në një intervistë të mëhershme dhënë radios, kishte thënë se "kjo çështje po e brengos Komisionin Evropian".

Por, shefi i zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Daviddi, thotë se institucioni të cilin ai e përfaqëson, nuk është i përfshirë në këtë proces.

"Komisioni Evropian nuk është nënshkrues i marrëveshjes së CEFTA-s dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje", konsideron Daviddi, duke sqaruar se punët e Komisionit Evropian në Kosovë kanë të bëjnë me përafrimin e Republikës drejt BE-së, menaxhimin e asistencës financiare për Kosovën që kap shumën prej 500 milionë eurosh dhe çështje të tjera të nivelit ekonomik dhe politik.

Qeveria e Kosovës e kishte adresuar problemin te sekretariati i CEFTA-s, mirëpo në përgjigjen e marrë nga ky mekanizëm, bllokada që Qeveria serbe dhe ajo e Bosnjë Hercegovinës u kanë bërë produkteve me origjinë nga Kosova, ishte vlerësuar si problem politik.

Zyrtarët qeveritarë hezituan të prononcohen në lidhje me hapat e ardhshëm që do të marrë Kosova në këtë drejtim, mirëpo njoftuan se më 9 janar ekzekutivi kosovar i ka bërë një kërkesë ministrit të Ekonomisë të Malit të Zi, si kryesues aktual i CEFTA-s, për thirrjen e Komitetit të përbashkët të CEFTA-s.

Në përgjigjen e marrë nga ministri malazez i Ekonomisë për këtë kërkesë, sipas zyrtarëve, thuhej se nuk mund të thirret mbledhja e Komitetit të përbashkët të CEFTA-s për të diskutuar bllokimin e mallrave kosovare nga Serbia dhe Bosnja, për shkak se, siç thuhet në dokument, nënshkruese e marrëveshjes është administrata e Kombeve të Bashkuara.

UNMIK-u, ndërkaq, vlerëson se e tërë kjo çështje duhet të zgjidhet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe CEFTA-s. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, sqaron:

"Kjo varet nga CEFTA, sepse aktualisht CEFTA pranon delegacionet kosovare vetëm me prani të përfaqësuesve të UNMIK-ut. Është fakt se UNMIK-u ka nënshkruar marrëveshjen, por kjo ka ndodhur kur UNMIK-u po administronte Kosovën. Qeveria e Kosovës duhet të negociojë me CEFTA-n në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por, marrë parasysh faktin që Serbia është anëtare e CEFTA-s, si organizatë që vepron sipas konsensusit, kam përshtypjen se mund të ketë vështirësi", u shpreh Ivanko.
XS
SM
MD
LG