Ndërlidhjet

“Kosova e Re" - problemet e vjetra


"Kosova A"
"Kosova A"

Ministria e Energjisë dhe Minierave është në procesin e finalizimit për projektin e Termocentralit “Kosova e Re”, bëjnë të ditur zyrtarë të kësaj ministrie. Por, ekspertë të energjisë thonë se ministria po zvarrit procesin në fjalë.


Fituesi i kompanisë për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” pritet të shpallet në fund të këtij viti, ndërkaq ndërtimi i termocentralit pritet të fillojë në fund të vitit të ardhshëm, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave.

Lorik Haxhiu, menaxher i projektit, vlerëson se projekti për Termocentralin “Kosova e Re” është në procesin e finalizimit. Ai pohon se sa i përket lokacionit për ndërtimin e këtij termocentrali, sipas vlerësimeve strategjike, është paraparë lokacioni te Termocentrali “Kosova A” dhe Termocentrali “Kosova B”.
Jemi në fazën përfundimtare të përcaktimit të modaliteteve dhe shpresojmë se shumë shpejt do të jemi në gjendje të dorëzojmë apo të përgatisim materialin final tenderues tek kompanitë e para-kualifikuara...

“Sa i përket afateve kohore, ne jemi në fazën përfundimtare të përcaktimit të modaliteteve dhe shpresojmë se shumë shpejt do të jemi në gjendje të dorëzojmë apo të përgatisim materialin final tenderues tek kompanitë e para-kualifikuara”, tha Haxhiu.

Termocentrali, që pritet të ketë kapacitet prej 2000 megavatesh, do të sigurojë rrymë 24 orë pa ndërprerë, thotë Haxhiu. Sipas tij, fillimisht do të lejohet ndërtimi i kapaciteteve prej vetëm 1000 megavatesh, me opsion ndërtimin e 1000 megavatesh shtesë.

“Është rekomanduar që ky ndërtim të jetë në faza... faza e parë, e cila mundëson mbylljen sa më të shpejtë të Termocentralit ‘Kosova A’ dhe pastaj faza tjetër, apo 1000 megavat, do të zhvilloheshin më vonë - kur edhe flasim për daljen e ‘Kosovës B’ nga operimi dhe kemi rritje të konsumit”, thotë Haxhiu.

Ndryshe, ekspertë për çështje të energjisë disa herë kanë kritikuar zvarritjen e përzgjedhjes së kompanisë fituese dhe fillimin e zbatimit të këtij projekti – pasi që deri më tani disa herë është shtyrë afati i përzgjedhjes së kompanisë fituese.

Jusuf Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës, pohon se Kosova operon me një termocentral 40 vjeçar dhe kur merret parasysh fakti se reduktimet e energjisë elektrike janë të përditshme, Qeveria e Kosovës, sipas tij, është dashur të jetë më serioze në përfundimin e këtij procesi.
...është dashur të jenë më serioze edhe qeveria e mëparshme, edhe qeveria e tashme. Në elektrikë tranzicionet nuk zgjaten shumë, por kanë pasoja...

“Thënë të drejtën, është dashur të jenë më serioze edhe qeveria e mëparshme, edhe qeveria e tashme. Duket se janë ende në diagnostifikim; kjo kohë, të quaj kështu, se kush do të ndërtojë, po zgjat shumë si proces. Ne jemi në proces të tranzicionit dhe ky tranzicion po zgjat shumë; në elektrikë tranzicionet nuk zgjaten shumë, por kanë pasoja - edhe kjo do të ketë pasoja”, tha Krasniqi.

Zvarritja e këtij procesi, sipas profesorit Krasniqi, është vetëm në favor të kompanive rajonale, që Kosova ende të varet nga kompanitë e jashtme. Ai madje shpreh shqetësimin se edhe kompanitë e përzgjedhura mund të investojnë në vendet rajonale.

“Në qoftë se Qeveria, respektivisht organet kompetente nuk tregojnë seriozitet, investitorët e huaj do të gjejnë vende ku mund t’i plasojnë mjetet dhe të gjejnë shtet ku janë të interesuar për prodhim të energjisë elektrike, për prodhime të reja”, shprehet Krasniqi.

Por, Lorik Haxhiu, nga Ministria e Energjisë dhe Minierave, thotë se nuk ka zvarritje të procesit, por, siç thotë ai, analiza dhe hulumtime të projektit.

“Ka të bëjë me atë se kemi nevojë për disa analiza të reja, kryesisht ka të bëjë me përfshirjen e ‘Kosovës A-B’ në projekt. Dhe, mendoj se mund të ketë një kohë të zvarritur, mirëpo këto janë vendime, të cilat do t’i marrim tani dhe do të jetojmë me ato vendime në 40 vjetët e ardhshëm. Pra, një zvarritje edhe prej një viti, do të thotë në kontekstin e 40 vjetëve të ardhshëm, nuk është ndonjë tragjedi”, tha Haxhiu.

Sidoqoftë, ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” kap shifrën 3.5 miliardë dollarë. Ndërtimi i këtij projekti është paraparë të përfundojë në vitin 2013, por me ardhjen e qeverisë së re, për shkak të, siç thuhet, rishikimeve që është dashur t’i bëhen projektit, është shtyrë afati dhe i është ndërruar emri nga “Kosova C” në Termocentralin “Kosova e Re”.
XS
SM
MD
LG