Ndërlidhjet

A po rritet çmimi i naftës?


Janë më se dyfishuar çmimet e naftës që nga fillimi i vitit. Kjo mund të jetë dhe një e papritur, pasi që ekonomia botërore është në mes të një recesioni të rëndë, të shkaktuar nga kriza financiare. Ndërkaq, edhe kërkesa globale për naftë pritet të jetë më e ulët se vitin e kaluar.

Analistët pohojnë të shihet një optimizëm. Sipas tyre, disponimi i errët se ekonomia po zbret në recesion, ka filluar të zëvendësohet me shpresën se më e keqja mund të jetë pas tashmë.

“Po rritet optimizmi se do të mund të shohim fundin e kësaj krize ekonomike shumë shpejt”, thotë analistja Tina Saltvedt.

“Dhe, ajo që tregu po pret, është që sapo të shohim ekonominë botërore që ka filluar të rritet, me shpresë këtë vjeshtë apo dimër, do të fillojë të rritet po ashtu dhe nevoja për naftë dhe energji”,
thotë ajo.

* * * * * * * * * *

Janë faktorë të tjerë që po ndikojnë në ngritjen e çmimeve.

Janë shpenzimet shumë të mëdha të qeverive për të ndihmuar nxjerrjen nga recesioni të ekonomive të tyre.

Por, nëse kjo funksionon, brenga është se kjo mund ta ‘ushqejë’ inflacionin. Dhe kështu, investitorët duan të investojnë më shumë para në artikujt e tyre, si “mur mbrojtës” kundër inflacionit, i cili e konsumon vlerën e investimeve të tjera.

Pastaj, janë dhe ato ndërprerjet e prodhimeve, që u shpallën vitin e kaluar nga OPEC-u – 4.2 milionë fuçi në ditë – që ka tentuar të ndalojë uljen e çmimeve.

Në anën tjetër, edhe pse rezervat botërore të naftës janë ende të larta, raportet këtë javë kanë treguar për rënie të tyre në Shtetet e Bashkuara – që janë përdoruesit më të mëdhenj të energjisë në botë.

Në gjithë këtë është edhe dollari, i cili është dobësuar javët e fundit.

Javët e fundit po shohim të ekzistojë një lidhje më e madhe në mes të dobësimit të dollarit dhe çmimeve të naftës”, thotë Saltvedt.

“Ajo që kemi parë në gjysmën e dytë të 2007-ës dhe në gjysmën e parë të 2008-ës, ishte një lidhje e fortë ndërmjet çmimit të naftës dhe dobësimit të dollarit. Pra, kur dollari fillon të dobësohet dhe kur çmimi i naftës vendoset në dollar, shumë e përdorin naftën si ‘mur mbrojtës’ kundër dobësimit të dollarit. Kështu që paratë lëvizin nga tregu i parave, i dollarit, në tregun e naftës”,
thotë ajo.


A jemi drejt një maje tjetër të çmimeve të naftës?

Disa thonë se kjo mund të ndodhë...

Kreu i kompanisë Shell, Jeroen Va nder Veer, kishte deklaruar në një konferencë se “rritja e çmimit të naftës mund të jetë shumë afër”.

Ndërkaq, analistja Saltvedt thotë:

“Nëse i shkurtoni investimet tash, kjo nuk do të ndikojë në prodhimin e naftës para 2012-ës. Dhe, më 2012-ën ne presim që ekonomia botërore t’i kthehet nivelit të normales. Kur të shohim rritje normale të ekonomisë botërore, ne kemi nevojë për më shumë naftë dhe energji”, shprehet ajo.

Megjithatë, ekspertët thonë se rritja e shpejtë e çmimeve të naftës paraqet rrezik.

“Duhet marrë parasysh se më 2007-ën, kur ishte mbi 60 dollarë fuçia, ekonomia botërore është rritur në një shkallë prej 5 përqindësh”, thotë Heri Çilinguirian, analist i tregut të naftës në BNP Paribas, në Londër.

“Shumë projektime, përfshirë dhe ato të BNP-së, mendojnë se do të ketë tkurrje të ekonomisë botërore ndërmjet 1.5 dhe 2 për qind”.

“Kur merren në konsideratë këto dy fakte, duhet pasur parasysh se ky nivel i çmimeve nuk do të jetë i qëndrueshëm për kohë të gjatë. Herët a vonë, ajo që do të ndodhë është se disa rezerva të naftës do të vijnë në treg”,
thotë Çilinguirian.

Sidoqoftë, për ata optimistë që shohin një dritëz shprese, është edhe një sinjal tjetër i vogël që recesioni global mund të arrijë kah fundi.

Më 11 qershor, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka bërë të ditur se pritet që rënia e kërkesave për naftë, këtë vit, të jetë e një shkalle pak më të ulët, sesa që është menduar më parë.

Përsëri rënie, por pak më e vogël.
XS
SM
MD
LG