Dëgjo

Dëgjo tani

Programi i mesditës

Programi i radhës

 


Aktuale

Raportet diplomatike Prishtinë - Podgoricë

Qeveria e Kosovës

03.07.2009

Prishtina dhe Podgorica do të ngrenë nivelin e marrëdhënieve diplomatike gjatë javëve të ardhshme, tha zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi. Mali i Zi ka njohur Kosovën në tetor të vitit të kaluar, por ka ngecje në vendosjen e raporteve diplomatike.


Prishtina zyrtare nuk pret nga Podgorica rishqyrtimin e pozicionit të Malit të Zi ndaj pavarësisë së Kosovës, pavarësisht zhvillimeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Kryeministri malazez, Millo Gjukanoviq, ndonëse ka shprehur dyshimet e thella se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë ndonjë interpretim negativ sa i përket pavarësisë së Kosovës, ka thënë se autoritetet malazeze mund ta rishqyrtojnë pozicionin ndaj pavarësisë së Kosovës, vetëm nëse kjo gjykatë interpreton shpalljen e pavarësisë së Kosovës në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Këto komente, Gjukanoviq i ka bërë për mediat në gjuhën serbe të Beogradit.

Në anën tjetër, në Qeverinë e Kosovës thonë se nuk presin kurrfarë përkeqësimi të raporteve me Podgoricën. Zëdhënësi Memli Krasniqi thotë se javët e ardhshme, Prishtina dhe Podgorica do të vendosin marrëdhënie diplomatike mes dy shteteve.
...javët e ardhshme ne do të kemi edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Malin e Zi dhe thellimin e bashkëpunimit dhe të raporteve bilaterale me këtë shtet.

“Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Ne e kemi mirëpritur këtë vendim, i cili ka qenë shumë i vështirë në një formë apo tjetër për Malin e Zi. Ne shumë shpejt do të vendosim edhe marrëdhënie diplomatike”.

“Kjo ka ardhur edhe si rrjedhojë e kërkesave nga Prishtina dhe Podgorica dhe më e rëndësishmja është se javët e ardhshme ne do të kemi edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Malin e Zi dhe thellimin e bashkëpunimit dhe të raporteve bilaterale me këtë shtet”,
tha Krasniqi.

Në anën tjetër, opozita inkurajon Prishtinën dhe Podgoricën që të shpejtojnë me vendosjen e raporteve diplomatike në nivel ambasadash dhe të mos lejojnë çfarëdo përkeqësimi të marrëdhënieve ndërfqinjësore.

Ibrahim Gashi, nënkryetar i partisë opozitare Aleanca Kosova e Re, thotë se Kosova duhet t’u kushtojë më shumë kujdes raporteve me Maqedoninë dhe Malin e Zi.

“Pala kosovare duhet të dëshmojë gatishmërinë e menjëhershme për të filluar me funksionalizimin e shërbimit diplomatik me shtetin e Malit të Zi, zyrtarizimin e marrëdhënieve bilaterale përmes vendosjes së misioneve diplomatike në baza reciproke”.

“Në veçanti me Malin e Zi dhe me Maqedoninë, në momentin kur ato t’i kenë tejkaluar problemet e brendshme për t’i vendosur misionet diplomatike në nivelin më të lartë, pala kosovare duhet të jetë po atë ditë e gatshme”,
thotë Gashi.

Lidhur me procesin në Gjykatën e Hagës, ku, me kërkesë të Serbisë, pritet që vitin e ardhshëm të nxirret një interpretim se sa ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, Gashi thotë se edhe Gjukanoviq dhe të tjerët e dinë fare mirë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk do të pozicionohet me interpretim kundër pavarësisë së Kosovës, pasi që deklarimi i pavarësisë ishte një veprim i drejtë.

Millo Gjukanoviq
Po ashtu, edhe Gjukanoviq u ka thënë mediave serbe se nuk pret që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të dalë me epilog negativ ndaj pavarësisë së Kosovës.

“Qysh në vitin 1999, në kohën e nxjerrjes së Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ne e kemi pasur të qartë se Serbia i ka humbur të gjitha kompetencat shtetërore në Kosovë", ka deklaruar Gjukanoviq.

Ai, po ashtu, ka pohuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë vendim i ngutshëm i Podgoricës.
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
     
Komentet
Nga : Fehmiu Prej : Cyrih
08.07.2009 17:10
Malazezët së bashku me Gjokën kanë filluar ta kuptojnë që kanë prejardhje shqipëtare,andaj të mos luajnë,sepse pastaj edhe ne dimë të themi ;Tash JO.

Nga : Uc Gjonbalaj Prej : USA
04.07.2009 01:39
Mendoj se vendosja e mardhanjeve te shendosha diplomatike me Malin e zi kan rendesi te veqante ,ne ballkan si tersi. Mali izi eshte katalizatori ma i mire ne madhanjet mes njesive te ish jugosllavise. Mardhanjet e mira ndermjet Shqiptarve ne tersi dhe Malazezve eshte pjesa ma e shendoshe nga gjithe tragjedija jugosllave. Mardhanjet e mira mes KOsovs dhe Malit te zi do te nxisin mardhanje te mira me fqinjet tjere. Malazezet jan avokat te mire ne mardhanjet e popujve nga ish jugosllavija.
     

Prodhimet dhe shërbimet:

PodcastRSS