Ndërlidhjet

Dom Lush Gjergji: Harmonia ndërfetare - model për botën


Dom Lush Gjergji
Dom Lush Gjergji

"Shqiptarët kanë dëshmuar se të krishterët e myslimanët, jo vetëm që mund të jetojnë së bashku, por mund të bashkëjetojnë dhe të bashkëveprojnë", thotë, me rastin e Krishtlindjeve, Dom Lush Gjergji, famullitar i Kishës Katolike në Binçë.







RADIO EVROPA E LIRË

Dom Lush, të enjten, besimtarët katolikë në Kosovë, në Shqipëri dhe në mbarë botën festojnë Krishtlindjet. Çfarë paraqesin Krishtlindjet sivjet dhe çdo vit?

DOM LUSH GJERGJI
Krishtlindjet, mbi të gjitha, janë festa e jetës, festa e familjes dhe e dashurisë, solidariteti i Zotit me ne, kur Zoti mishërohet dhe e merr trajtën e njeriut, të një foshnje të brishtë dhe lind në Shpellën e Betlehemit, jo rastësisht, por për të dëshmuar dhe treguar solidaritetin që ka me çdo njeri, sidomos me ata që janë të vuajtur, të nëpërkëmbur, të varfër, me ata që më tepër e ndjejnë jetën si peshë dhe barrë, sesa si gëzim dhe lumturi. Ky është aspekti historik dhe aspekti fetar.

Kurse, në aspektin kulturor dhe shpirtëror, kjo festë i afron dhe i bashkon njerëzit kudo nëpër botë, sepse në qendër të vëmendjes është jeta e re, është familja – dy gjëra, të cilat janë të shenjta dhe janë rrezikuar dhe kërcënuar jo vetëm te ne, por edhe në botë.

Ne, shqiptarët, dallohemi për kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, siç do të thoshte Nëna Terezë, sepse kemi qenë gjithmonë ata që e kemi pranuar jetën e re, fëmijët si dhuratë të Zotit dhe të dashurisë së prindërve dhe, në anën tjetër, kemi pasur dhe kemi kujdes, për aq sa është e mundshme, edhe për të moshuarit, edhe për ata që janë harxhuar tashmë fizikisht dhe presin kalimin në amshim.

Prandaj, do të doja që kjo festë, në qendër të vëmendjes ta shtrojë familjen tonë shqiptare, si bartëse dhe dhuruese e jetës prej zanafillës e deri te ofshama e fundit, kalimi në amshim, duke i dhuruar njëri-tjetrit kujdes, nderim, falënderim e, mbi të gjitha, dashuri, sepse nevoja themelore e çdo njeriu është gjithmonë dashuria.

Jetojmë aq sa dashurojmë dhe aq sa flijohemi dhe dhurohemi për njëri-tjetrin, për të mirën tonë të përbashkët.

RADIO EVROPA E LIRË
Festimi i përbashkët i Krishtlindjeve dhe festave të tjera fetare për shqiptarët nuk është ndonjë risi. A është duke u ruajtur dhe kultivuar kjo traditë?

DOM LUSH GJERGJI
Gjithsesi, sepse vëllazëria jonë gjithëshqiptare, tradita dhe kultura iliro-shqiptare dhe krishterimi ynë, më tepër se 15, 16, 17 shekuj, është një platformë e përbashkët dhe, në këtë mënyrë, ne e njohim dhe e duam njëri-tjetrin, në rend të parë si vëllezër shqiptarë, se përcaktimet fetare tonat nuk kanë qenë një çështje që është varur prej nesh, por prej ndikimeve të të huajve, të cilët janë munduar jo vetëm të na ndajnë, por edhe të na përçajnë.

Mu për këtë, kam thënë dhe e përsëris edhe një herë, fatkeqësisht, fetarisht jemi të ndarë, por, fatbardhësisht, nuk jemi të përçarë, sepse, mbi të gjitha, jemi shqiptarë dhe kjo është baza e parë dhe, e dyta, jemi fetarë, besojmë në një monoteizëm, në një Zot të vërtetë, i cili është Ati ynë i mirë.

Dhe, nëse Zoti është Ati ynë, atëherë ne jemi dhe duhet të jemi gjithmonë si vëllezër e motra dhe kjo traditë do të vazhdojë gjithnjë e më tepër, duke uruar njëri-tjetrin, duke festuar së bashku, sepse shumë, me shekuj, kemi pësuar, kemi vuajtur, kemi luftuar dhe kemi mbijetuar bashkërisht. Prandaj, edhe do të gëzohemi, edhe do të urojmë, edhe do të festojmë gjithmonë vëllazërisht dhe bashkërisht.

Vetëm në këtë mënyrë mund ta gëzojmë dhe shijojmë vëllazërinë tonë gjithëshqiptare, mund ta shijojmë edhe aspektin fetar, i cili na ofron dhe bashkon me Zotin dhe me njëri-tjetrin.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se shqiptarët, gjatë shekujve, kanë kultivuar tolerancën ndërfetare. Ka që thonë se mbijetesa e shqiptarëve duhet kërkuar pikërisht te toleranca reciproke fetare, mbase si një nga rastet unike në botë. Si e shihni ju këtë çështje?

DOM LUSH GJERGJI
Patjetër, kjo tezë është plotësisht e pranueshme, e pëlqyeshme dhe e vërtetë dhe e kam thënë shpeshherë edhe unë. Po të mos kishim ruajtur ne trungun tonë të përbashkët iliro-shqiptar dhe kristian, sigurisht se do të ishim ndonjë popull në anale, apo do të ishte një tragjedi e madhe që një pjesë dërrmuese e popullit, e cila, nën ndikimin e të huajve, është islamizuar që të mos ishte më shqiptare.

Fatbardhësisht, kjo nuk ndodhi, pikërisht jo vetëm për tolerancën, sepse për mua është pak të themi se vëllai vëllanë e toleron apo e bart apo e duron, por prej tolerancës, e cila tashmë është shekullore ndër shqiptarët, pa dallime fetare dhe pa dallime edhe hapësinore apo gjeografike, sot shtetërore, është aspekti tjetër pozitiv i dialogut të mirëfilltë ndërfetar krishtero-mysliman apo myslimano-krishterë, në të cilin dëshirojmë të jemi një model, jo vetëm për Mesdheun, por edhe për botën mbarë.

Në këtë mënyrë, duke dëshmuar se të krishterët dhe myslimanët, jo vetëm që mund të jetojnë së bashku, por mund të bashkëjetojnë dhe të bashkëveprojnë, duke u munduar për çështje të përbashkëta të japin kontributin specifik dhe, mbi të gjitha, duke dëshmuar vëllazërinë tonë gjithëshqiptare dhe vëllazërinë ndërfetare.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, në periudhën e kaluar, në mesin tonë janë dëgjuar edhe zëra që nuk përkojnë me këtë traditë. A sfidojnë këta zëra harmoninë ndërfetare te shqiptarët apo janë zëra sporadikë, pa shtrirje dhe ndikim?

DOM LUSH GJERGJI
Unë mendoj se janë pa shtrirje, siç e thoni ju, dhe pa ndikim të rëndësishëm, edhe pse duhet të kemi kujdes, sepse, edhe pse jemi shtet i lirë dhe i pavarur - falënderojmë Zotin, falënderojmë ndërkombëtarët që kanë ndërhyrë, falënderojmë flijimin dhe dhurimin gjithëshqiptar që u bë për Kosovën tonë të lirë dhe të pavarur - sigurisht se ka tendenca, sidomos nga të huajt, aty-këtu mund të gjejnë ndonjë aleat edhe brenda popullit tonë, që ta prishin këtë mozaik dhe këtë harmoni të mrekullueshme vëllazërore.

Por, për sa hetoj unë, këto janë gjëra, të cilat nuk kanë ndikuar në shtresat gjithëpopullore, sidomos nuk kanë ndikuar tek ata që janë bartësit e jetës kulturore, shpirtërore, qytetare, do të thotë te politika jonë, te njerëzit e shkencës, te njerëzit e kulturës, te njerëzit e artit dhe te njerëzit e fesë.

Duhet të jemi syçelë, duhet t’i përballojmë këto situata, por gjithmonë e vërteta - me dashuri dhe pa dashuri, sepse gishti kërcënues apo dora dhunuese nuk sjell kurrfarë rezultati. Nëse ka nevojë të analizojmë, do të analizojmë së bashku, do të dalim me qëndrimet tona të përbashkëta, se copëtimet e tilla, anësimet apo teprimet, në çfarëdo aspekti, nuk janë të mira. Siç thotë populli, ‘nëse nuk e sheh rrugën, mbaje mesin, se në mes është shpëtimi apo virtyti’.

RADIO EVROPA E LIRË

Cili është roli i liderëve politikë, klerikëve dhe intelektualëve në ruajtjen e harmonisë ndërfetare?

DOM LUSH GJERGJI
Njerëzit e politikës kurrë nuk janë identifikuar me aspektin apo përkatësinë fetare, sepse jemi paraqitur gjithnjë dhe jemi mbi të gjitha shqiptarë. Përballimi prej vitit ’81 dhe deri më ’89-’99 ishte i përbashkët dhe kështu bashkërisht kemi krijuar dhe kemi ardhur deri te kjo pikë.

Prandaj, njerëzit e politikës, fatbardhësisht, janë mbi këto çështje dhe nuk kanë rënë kurrë në gracka apo në tundime, që partitë e tyre t’i shndërrojnë, në një mënyrë, në përkatësi fetare.

Sa na përket neve, besimtarëve apo fetarëve, njerëzve të kushtuar Zotit, aq më tepër, sepse ne jetojmë sipas atij parimit, tashmë të vjetër të Kishës Katolike në popullin shqiptar dymijë-vjeçar – për fe dhe për atdhe, apo ta them në terminologjinë e të madhit Imzot Pjetër Bogdani: “Fati im është fati i popullit tim”.

Jemi identifikuar me këtë popull, jemi të këtij populli dhe për këtë popull, pa i marrë parasysh përcaktimet apo orientimet fetare, sepse, mbi të gjitha, jemi vëllezër, jemi njerëz, jemi shqiptarë, jemi besimtarë. Por, edhe nëse dikush nuk beson, megjithatë, është dhe do të mbesë gjithmonë vëllai apo motra ime.

RADIO EVROPA E LIRË
Dom Lush, jeni biograf i Nënës Terezë. Sivjet, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kërkoi nga autoritetet e Indisë që vitin e ardhshëm, në 100-vjetorin e lindjes, Nënë Tereza të prehet në Shqipëri. A është e mundur të realizohet kjo ide?

DOM LUSH GJERGJI
Unë pata biseduar për këtë çështje kur ishte dr Sali Berisha në Prishtinë, sidomos kur u shpall Qytetar Nderi në Prizren dhe gjesti i tij ishte një gjest simpatik si një kryeministër i shtetit shqiptar, që kërkon një gjë të tillë. Por, kjo nuk mund të bëhet në atë formë dhe në atë mënyrë. Mënyra është tjetër, nëpërmes Kishës Katolike, nëpërmes Vatikanit, nëpërmes motrave të Nënës Terezë.

Ne, me siguri, në katedralen që është në ndërtim këtu në Prishtinë, sot-nesër do t’i kemi eshtrat, apo siç thuhet në terminologjinë teknike, shqiptare dhe kishtare, reliket, domethënë diçka nga trupi, eshtrat e saj, që ajo të jetë këtu dhe prej nga doli, të mishërohet dhe ta kemi jo vetëm një kujtim, por ta kemi një prani simbolike dhe reale të jetës dhe veprës së Nënës Terezë në mendjen dhe në zemrat tona.

Kjo besoj se do të realizohet pa probleme. India sigurisht se nuk heq dorë prej eshtrave të Nënës Terezë, çka është një e drejtë, sepse prej vitit 1929 deri në kalimin në amshim, 5 shtator 1997, ajo, pjesën dërrmuese të jetës e ka kaluar në Indi dhe në Kalkutë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në mbyllje të kësaj bisede, cili do të ishte mesazhi juaj me rastin e Krishtlindjeve?

DOM LUSH GJERGJI
Mbi të gjitha, të kemi mendjen e hapur, të kemi zemrën e hapur, të shikojmë me sy për të parë dhe zbuluar në njëri-tjetrin të mirën, të drejtën dhe të vërtetën. Të jemi njerëz që dimë të kultivojmë bisedimin, takimin, dialogun, komunikimin me Zotin dhe me njëri-tjetrin, sepse jeta ka kuptim vetëm atëherë kur ka flijim dhe dashuri.

Thënë me gojën dhe zemrën e Nënës Terezë, të bëjmë gjëra të vogla, por me dashuri të madhe. Atëherë, të gjithë do të jemi të lumtur, apo, siç thoshte ajo, nëse nuk mund të bësh asgjë tjetër, buzëqeshu, sepse përmes buzëqeshjes, do t’ia dhurosh tjetrit një rreze drite, rreze shprese dhe dashurie.
XS
SM
MD
LG